Transmetuar më 08-04-2017, 12:29

Nga çadra e protestës ku opozita ndodhet prej më 50 ditësh, kryedemokrati Lulzim Basha, deklaroi se do të çmontohet ao që ai e cilësoi aleanca e krimit me politikën.

Z.Basha u angazhua se shteti dhe Republika e vjetër "nuk do t’i mbijetojnë dot Republikës së Re", duke shtuar se duhen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Një qeveri jashtë ligjit është tirani dhe tirania përmbyset. Gjërat po ndryshojnë dhe kanë ndryshuar dhe dje bota u bë dëshmitare e rindezjes së shpresës dhe konfirmimit të lidershipit të SHBA që përvëluan bazat e një tirani që nuk kurseu fëmijët e popullit të tij nga sulmet me gaz helmues”, u shpreh Basha, duke iu referuar sulmit të SHBA ndaj Sirisë.

Kreu opozitar e cilësoi Kryeministrin si injorant dhe arrogant, dhe tha se kopertina dhe fasada janë mundësitë e tij të vetme për të qëndruar në pushtet.

Më tej Basha shtoi se me milionat e drogës po paguhen sipas tij, “fundërrina për të lobuar pro qeverisë” dhe se po paguhen pronarët e medias.

Më tej kryetari demokrat tha se opozita e do reformën në drejtësi dhe këtë gjë, – tha ai, – e tregoi me votën në 22 korrik.

“Është dita t’i them Edi Ramës, se kurrë nuk do ta ketë në dorë drejtësinë shqiptare dhe se Partia Demokratike nuk do të jetë alibia që Rama e kriminelët të shtien në dorë drejtësinë shqiptare.

“Qeveria e dalë me votë të lirë e të ndershme, do ta përcaktojë me drejtësi këtë reformë”, tha Lulzim Basha. /a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd