
Një tjetër operacion i përbashkët antitrafik ndërkombëtar në det është zhvilluar gjatë dy ditëve të fundit.
Si rezultat është kapur një gomone me rreth 1500 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa, ndërsa në pranga kanë përfunduar edhe 3 trafikantët që ishin në bordin e saj.
Roja Bregdetare dhe QNOD kanë njoftuar për një mjet lundrues të dyshimtë që lëvizte me shpejtësi të madhe në jug të Shqipërisë në afërsi të Korfuzit.
Menjëherë Policia e Shtetit në bashkëpunim me GdF në Durrës dhe Vlorë, kanë sinjalizuar dhe janë aktivizuar njësitë Guardia di Finanza në Bari e Taranto, si dhe dispozitivi Frontex.
Pas interceptimit në det në afërsi të Kalabrisë ka filluar një ndjekje e gjatë në det të gomones oqeanike me motorë të fuqishëm nga 400 cv.
Ndjekja ka filluar mbrëmjen e djeshme dhe ka përfunduar rreth orës 16:00 të ditës së sotme në pjesën fundore të Greqisë, falë edhe informimit në kohë reale të Rojes Bregdetare Greke e cila ka aktivizuar të gjithë potencialin e saj. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





