
Zv/kryeministri Niko Peleshi, ka paralajmëruar ditë të qeta për Partinë Socialiste deri në 18 qershor. Nga qyteti i Korçës, Peleshi theksoi se PS respekton kushtetutën dhe datën e zgjedhjeve, ndërsa thumboi dhe LSI-në.
"Për ne si Parti Socialiste ditët do jenë të qeta deri më 18 qershor sepse jemi partia në qeverisje dhe në respektim të kushtetutës sepse respektojmë datën e zgjedhjeve. Kemi dy sfida: të mbështesim atë proces zgjedhor që do të jetë më i miri në 27 vite dhe tu tregojmë shqiptarëve se çfarë kemi bërë dhe se çfarë mund të bënim më mirë ose më shumë. Shqipëria ka nevojë për më shumë vende pune, por në këto 4 vite kemi shtruar rrugën përmes konsolidimit të shtetit ligjor dhe reformave për të ecur me shpejtësi në rrugën e punësimit. Këtë e sjellim si ofertë në zgjedhje", tha Peleshi.
Nga ana tjetër Peleshi pohoi se nuk është faji i PS-së që parti të tjera brenda apo jashtë koalicionit nuk kanë asnjë ofertë për votën.
"Nëse partitë e tjera brenda apo jashtë koalicionit kjo ka pak rëndësi në të gjithë spektrin politik nuk kanë ofertë për zgjedhjet kjo nuk është përgjegjësia jonë, përgjegjësia jonë është të krijojmë të gjitha kushtet që çdo parti që ka një ofertë që ka diçka për të thënë në këmbim të votës që do u kërkojë shqiptarëve ta ushtrojë këtë të drejtë lirisht.
Qeveria vjen dhe ikën përmes votëbesimit të popullit dhe votëbesimit në parlament, nëse një nga këto ka rënë na duhet të presim datën e zgjedhjeve. Ne kemi një qeveri legjitime që nuk ka asnjë arsye ti lërë vendin një qeverie tjetër e cila në fakt vjen si një kërkesë absurde e opozitës”, u shpreh Peleshi.
Ndërsa ministri i Drejtësisë Petrit Vasili i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News24” deklaroi se kriza politike e ka detyruar kryeparlamentarin Ilir Meta të mbajë qëndrimet e shprehura ditët e fundit që opozita të jetë pjesë e zgjedhjeve të 18 qershorit.
"Zgjedhjet janë më të rrezikuara se kurrë më parë. Qëndrimi i tij ishte për të thënë se kemi një krye çështje dhe zgjidhja e saj është krye thënia e të gjitha zgjidhjeve. Pa zgjidhjen e saj nuk mund të kemi zhvillim ekonomik, reformë në drejtësi. Deklarata e Metës u bë pikërisht për të parandaluar këtë fenomen. ai bëri thirrje për përgjegjshmëri të re politike", tha Vasili.
Duke komentuar pozicionin e LSI-së në gjithë këtë situatë, Vasili flet qartë dhe thotë se as kryetari Meta, por as forca që përfaqëson nuk është e djathtë, por përballë diktaturës zgjedhim demokracinë.
"Jemi për vazhdimin e koalicionit nëse koalicioni merr kuptim dhe kjo të lindë nga zgjedhjet e rregullta dhe të pranuara nga të gjithë, asnjë mënyrë dhe qasje tjetër nuk është legjitime dhe e besueshme, do ishte një riciklim i një krize politike që do jetë e gjatë dhe që ne e njohim”, u shpreh Vasili.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





