Transmetuar më 07-04-2017, 19:05

Merkato e futbollit ende nuk është hapur, por tashmë Dybala është bërë një nga protagonistët e saj. Për të duken të interesuara shumë klube të Europës, por mbi të gjithë Real Madridi dhe Barcelona.

Klubi merengues duket se ka marrë pëlqimin e Cristiano Ronaldos, i cili, siç raportohet nga “Diario Gol”, ka fuqinë e vetos në blerjen e lojtarëve nga “Los Blancos”.

Real Madridi është aktualisht një nga ekipet më të frikshme në La Liga, ku mban vendin e parë në renditje, ndërsa në Europë mbetet kampioni në fuqi, në pritje të përplasjes së dyfishtë çerekfinale të Ligës së Kampioneve me Bayern Munich.

Por, mosha mesatare është në rritje. Katër herë fituesi i “Topit të Artë”, CR7, sapo ka mbushur 32 vjeç, 31 vite i kanë mbi supe Sergio Ramos dhe Luka Modric. Portugezi Pepe është gati të largohet pas këtij sezoni. Klubi, pra, duhet të shikojë nga e ardhmja, duke afruar yje të rinj.

Në mesin e preferencave të Cristiano Ronaldos, sipas gazetës iberike, janë lojtarë të tillë, si Aubameyang, Dembele, Mbappe dhe Dybala. Ndërkohë, ai nuk do absolutisht të ndajë “dhomat e zhveshjes” me Griezmann dhe Hazard.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd