Transmetuar më 07-04-2017, 17:32

Të paktën 3 viktima kanë mbetur në një ngjarje të rëndë që është shënuar sot në Stokholm, ku një kamion përplasi kalimtarët pranë një qendre tregtare në Suedi.

Thuhet se janë dëgjuar edhe të shtëna në momentin e ngjarjes dhe se shoferi i automjetit që shkaktoi tragjedinë është arratisur, sipas dëshmitarëve. Një gazetar i radios suedeze tha se kishte parë të paktën tre trupa të vdekur të shtrire në tokë.

“Pashë qindra njerëz duke vrapuar” shprehet një dëshmitar. Forca të shumta të policisë ndodhen në vendngjarje ndërsa zona është izoluar tërësisht. Sipas mediave, të cilat citojnë burimet e policisë, automjeti u përplas me një grup njerëzish që ishin në rrugë jashtë një qendre tregtare.

Incidenti thuhet të ketë ndodhur në Klarabergsgatan, sipas “Aftonbladet”. Zëdhënësja e policisë Towe Hagg ka thënë: “Një automjet ka plagosur disa njerëz në Drottningatan.” Disa dëshmitarë thonë se kanë parë një burrë në tokë i rrethuar nga policia.

Sipas mediave kamioni është grabitur mëngjesin e sotëm ndërsa shoferi do të duhej të dorëzonte një porosi të një restoranti. Kjo do të duhej të shpjegonte prezencën e tij në zonën pedonale. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd