
Pas shqyrtimit të kandidaturave, vetëm 67 prej tyre i plotësojnë kriteret për të qënë pjesë e institucioneve të rivlersimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kryetarja e ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera i dorëzoi sot Avokatit të Popullit rekomandimin e rishikuar të ONM-së, për t’iu dërguar Kuvendit.
Bazuar në kontrollet mbi kriteret e kualifikimit të kryera nga komisioni i vlerësimit në Zyrën e Avokatit të Popullit, u publikuan dy lista të konsoliduara:
-84 aplikantë janë vendosur në listën e kandidatëve të cilët përmbushin kriteret formale. Nga këta, 17 janë vlerësuar me rekomandim negativ nga ONM;
-109 aplikantë janë vendosur në listën e kandidatëve, të cilët nuk përmbushin kriteret formale. Nga këta, 70 janë vlerësuar me rekomandim negativ, 39 nuk janë vlerësuar me rekomandim negativ, por ekspertët ndërkombëtare pajtohen me anëtarët e komisionit të vlerësimit të zyrës së Avokatit të Popullit që këta kandidatë nuk përmbushin kriteret formale.
Në përfundim, 67 aplikantë mbeten të përshtatshëm për listën përfundimtare të votimit për shqyrtim nga Kuvendi, thuhet në njoftimin e ONM-së.
Tani, është përgjegjësia e Kuvendit që të emërojë anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, për fillimin pa vonesë të procesit. /k.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





