Transmetuar më 07-04-2017, 11:52

Nismës së Bashkisë së Tiranës për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike i janë bashkuar edhe shtatë rrjete supermarketesh të tjera, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në kryeqytet. Ato nënshkruan marrëveshjen e mirëkuptimit me Bashkinë e Tiranës, duke u angazhuar të marrin masat për të ulur deri në ndalimin e plotë të përdorimit të qeseve plastike në pikat e tyre të shitjes.

Marrëveshja u firmos dje nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtuesit e shtatë supermarketeve, të cilët ranë dakord që qeset plastike t’i shesin me një vlerë simbolike me qëllim dekurajimin e përdorimit të tyre, duke qenë se qeset janë edhe ndotëset më të mëdha të mjedisit.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi gatishmërinë që kanë treguar këto kompani për të kontribuar në një qytet më të pastër, duke përdorur sa më pak material të dëmshëm për mjedisin.

“Jam shumë entuziast sot, që nismës sonë për të reduktuar përdorimin e qeseve plastike në qytetin e Tiranës, i është bashkuar edhe një rrjet i shtatë supermarketeve dhe besoj se detyra kryesore e tyre është padyshim që të kultivojnë një konsumator të përgjegjshëm, ushqim dhe produkte të shëndetshme, e që ruajnë standardin”, tha Veliaj.

Ai shtoi se përmes kësaj nisme, jo vetëm që ruhet ambienti nga ndotja, por edhe kultivohet një qytetari e mirë.

“Kemi probleme të panumërta në një qytet që është ndërtuar për 200 mijë banorë dhe sot ka 1 milionë banorë; shpesh kanalizimet bllokohen, po ashtu edhe impiantet e grumbullimit të mbetjeve, kazanët, gjithashtu në sheshpushimet e lagjeve, në këndet e lodrave shohim katastrofa mjedisore nga papërgjegjshmëria. Ndaj, është e rëndësishme që këto rrjete supermarketesh të bashkuara në këtë nismë me Bashkinë e Tiranës, të garantojnë një qytet më të pastër”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku e cilësoi si të suksesshme javën e parë të zbatimit të nismës, duke shtuar se këtë javë u reduktua ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike nga qytetarët.

Në disa nga supermarketet që nënshkruan të parat marrëveshjen me Bashkinë e Tiranës, nisma për reduktimin e qeseve po zbatohet, ku qytetarët të dekurajuar nga pagesa prej 3 dhe 5 lekësh kanë nisur të përdorin trastat e rrobës.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd