Transmetuar më 07-04-2017, 11:41

Kryeministri Rama foli me gjuhën e shifrave kur krahasoi dhënien e lejeve të legalizimit të kësaj qeverie dhe të paraardhësve të tij. Nga Cakrani i Fierit, ku shpërndau leje legalizimi, Rama tha se vetëm në këtë qark janë shpërndarë mbi 11 mijë leje, nga të cilat 97 përqind janë shtëpi. Rama akuzoi qeverinë e kaluar kur tha se janë legalizuar objekte në zona ku nuk lejohej një gjë e tillë.

“Nga mbi 11 mijë legalizime në gjithë qarkun e Fierit, 93 përqind janë shtëpi, pronë e familjeve që sakrifikuan dhe kursyen gjakun e emigracionit që ndërtuan një shtëpi. 7 përqind të tjera janë godina të legalizuara në funksion të bujqësisë. Më parë, janë legalizuar banesa mbi Gjanicë. Shumica e legalizimeve që bëri pushteti i çadrës kanë qenë për hotele, motele dhe biznese. Dhe shumica kanë qenë legalizime aty ku kurrë nuk duhet të kishte legalizime, duke rritur kostot për të rindërtuar gjithë zonat e pushtuara dhe legalizuara. Pra, kanë bërë pronarë në zona ku ne nuk mund të pranojmë që të mbeten të përjetshëm. Si mund të pranojmë që Gjanica të mbetet siç ishte Lana nga ku Saliu filloi ndërtimin e Shqipërisë si Zvicra”, tha Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për protestën e opozitës kur tha se qëndrimi që po mban ka të bëjë me frikën nga Vettingu dhe humbja në zgjedhje./k.k/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd