

Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se kërkesa për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ndryshon.
Ai tha se droga dhe krimi, krimi dhe droga janë dy arsyet e jashtëzakonshme për kërkesën për zgjidhje të jashtëzakonshme, ndaj kërcënimit të jashtëzakonshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Vendimi jonë nuk ndryshon, vetëm qeveri teknike. Miq dhe dashamirës të Shqipërisë që për një arsye, apo arsye tjetër nuk kanë informacionin e plotë me ta duhet të kemi durim, duhet të kemi të hapur rrugën e dialogut mbi këto të zeza që i kanë shkaktuar Shqipërisë me lidhjet qeveritare të krimit”, u shpreh Basha.
Sipas tij, të mbyllësh sytë para krimit dhe drogës, do të thotë se je ose i papërgjegjshëm ose i korruptuar nga paratë e narkomafies shqiptare.
Po ashtu kreu i PD, deklaroi se nuk mund të dorëzohet kauza e zgjedhjeve të lira në duart e atyre që shkaktuan drogën duke sjellë krimin në pushtet, ndaj rruga e vetme është largimi një orë e më parë i Edi Ramës nga karrigia kryeministrore dhe hapja e rrugës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Droga nuk mbiu nga shiu dhe nuk u rrit nga dielli, kriminelët në institucione i solli Edi Rama për të mbajtur pushtetin e tij politik dhe shkatërroi institucionet shqiptare, ekonominë dhe mbushi Shqipërinë me drogë”, deklaroi kreu PD.
Ndaj deklaratave të tij reagoi kreu i qeverisë Edi Rama, i cili i thotë se po pret nisjen e dialogut pa kushte.
“Lulëzim sot 3 ditë që pres vendin/orën për të nisur dialogun pa kushte! Gjejmë zgjidhje votojmë Vetingun shkojmë në zgjedhje. Mos ki frikë!”, shkruan Rama në Facebook. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





