Transmetuar më 06-04-2017, 15:12

Drejtuesi i lëvizjes Zgjidhja, Koço Kokëdhima, u takua ditën e sotme me kreun e Kuvendit dhe njëherësh kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.

Gjatë takimit të zgjatur afro 30 minuta, i dyti brenda pak ditësh, u bisedua për aktualitetin politik dhe për rrugët e kapërcimit të krizës politike që po kalon vendi.

Dy bashkëbiseduesit nënvizuan nevojën e dialogut mes palëve politike si dhe përsëritën qëndrimet e tyre se nuk mund të ketë zgjedhje parlamentare pa opozitën.

Drejtuesi i lëvizjes Zgjidhja, ashtu si dhe në javët e kaluara, është duke zhvilluar takime intensive me të gjithë drejtuesit e partive politike në vend në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e krizës politike ku është futur vendi pas nisjes së protestës së opozitës më 18 shkurt dhe këmbënguljes së qeverisë për të shkuar në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit edhe pa opozitën.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd