Transmetuar më 06-04-2017, 10:40

Shkolla speciale për fëmijët e kryeqytetit, “Luigj Gurakuqi”, ka hapur dyert për të mirëpritur fëmijët me aftësi ndryshe në Tiranë. E ndërtuar që në vitin 1994, por e degraduar për shkak të mosmbajtjes në vite, falë ndërhyrjes së realizuar nga Bashkia e Tiranës ka tashmë kushte moderne.

Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, përuruan rikonstruksionin e plotë të shkollës "Luigj Gurakuqi". Në fjalën përshëndetëse, Kryeministri Edi Rama vlerësoi investimin e Bashkisë së Tiranës për rikonstruksionin e kësaj shkolle për fëmijët me aftësi të veçanta.

“Kjo shkollë është një tjetër shembull kuptimplotë i një të vërtete shumë të thjeshtë se shteti që kishim ishte vet, s’kishte lidhje fare me çfarë nevojash kishin këta fëmijë që janë fëmijë me aftësi speciale dhe me nevoja speciale.

Nuk u desh ndonjë mal me para, u desh thjesht dhe vetëm ndjeshmëria e nevojshme ndaj këtyre fëmijëve, u desh thjeshtë vullneti i nevojshëm për ta transformuar këtë hapësirë në një vend ku realisht ndjeheshe në një ishull të harruar në një ishull kaq të mrekullueshëm paqe, ngjyrash dhe hapësirash për të gjitha nevojat e këtyre fëmijëve”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se shumë shpejt do përfundojë dhe shpërndarja e këstit të fundit për të gjithë ata të burgosur që janë gjallë.

“Sot ne jemi në kushtet ku brenda pak muajsh përfundojmë plotësisht shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj çdo të burgosur të regjimit komunist që është gjallë. 8 këste, ndërkohë që gjetëm në Shqipërinë që kishim një lum njerëzish të kësaj kategorie që s’kishin marrë ende këstin e parë, ndërkohë që shumë të tjerë kishin shkuar në botën tjetër pa e marrë këstin e parë”, tha kryeministri Edi Rama.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd