


Mbrëmjen e së mërkurës, Mariza Ikonomi ka qenë e ftuar në Top Show Magazine për të kujtuar kantautorin e njohur Françesk Radi i cili u nda nga jeta dy ditë më parë përmes dhuratës më të bukur që ai i ka bërë në jetë, “Telefonatë zemrash”.
Para se të mblidhte forcat për ta kënduar vetëm këngën, Mariza ka kujtuar momentin kur Françesk Radi kishte shkuar në Pallatin e Pionierit për të zgjedhur një vajzë që do t’i jepte këngën.
“Unë kam qenë vetëm 10 vjeç dhe ka qenë ai momenti që ai kërkonte një vajzë të vogël që të këndonte këngën “Telefonatë zemrash” dhe unë e shkreta dridhesha “ishalla isha unë”. Provoi disa vajza derisa zgjodhi dy prej tyre. Ishte një kompeticion i bukur. Dëshiroja shumë që të isha unë. Madje, kam bërë edhe lutje natën që të më zgjidhte mua….”, tregon Mariza.
Ai moment do të ishte më i lumturi për të edhe për shumë vite që do të vinin, sepse “Telefonatë zemrash” u kthye në kolonën zanore të të gjitha familjeve, ndërsa për Marizën u kthye në këngën e jetës.
“Më ka lënë kujtimin më të bukur të jetës sime. Jam shumë e lumtur që kam kënduar dhe që e kam njohur…”, tha ajo.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





