Transmetuar më 05-04-2017, 17:05

Zgjedhjet e 18 qershorit nuk duhet të zhvillohen pa opozitën. Kështu ka deklaruar Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, në një prononcim për mediat pas nënshkrimit të  projekti SMEI 4, që mbështet administratën shtetërore në rritjen e kapaciteteve  për procesin e integrimi. Gjosha  tha se  zgjedhjet e lira janë kusht  i rëndësishëm për integrimine vendit.

“Është për të ardhur keq që vendi ndodhet në një situatë të tillë. Le të provojmë me dialog për ti dhënë zgjidhjen vendit, sepse vendi po shkon drejt zgjedhjeve, mos harrojmë që zgjedhjet janë një kriter shumë i rëndësishëm edhe për integrimin europian të vendit.

Duhet të shkojmë drejt zbatimit të të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe kjo duhet të ishte bërë me kohë. Në fakt ne jemi shumë vonë. Megjithatë për të gjetur një zgjidhje asnjëherë nuk është vonë dhe deri në moment të fundit ne apelojmë për dialog dhe për një ulje të përbashkët mes palëve”, tha Gjosha.

Ndërsa Nënkryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka "thumbuar" LSI-në përmes një statusi në Facebook ku shprehet se qeverinë nuk e vendos askush tjetër përveç votuesve. Ndërkohë Balla kujton edhe Kushtetutën.

"Kemi detyrën t’ju qëndrojmë një për një angazhimeve që kemi ndërmarrë ndaj shqiptarëve. Janë ata që çdo katër vjet, pra më 18 qershor do të vlerësojnë me votë qeverisjen. Kushtetuta jonë fillon me fjalët "Ne Populli Shqiptar", pra është populli ai që përcakton kush është shumica që do të qeverisë dhe kush është pakica që duhet të bëjë opozitën në demokraci”, shkruan Balla.

Ndërkohë ditën e sotme, fill pas takimit të Metës me Ramën ky i fundit u takua me Gramoz Ruçin, Saimir Tahirin dhe Erion Veliajn, për t’ju bashkuar më vonë dhe ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd