



Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se nëse do të ketë dialog politik, ai dialog nuk do të kthehet kurrë në një pazar të pistë politik mes disa përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës, që të vazhdojë komplotin politik, ekonomik dhe kriminal.
Ky qëndrim i tij u dha sot nga çadra e protestës ku opozita ndodhet në ditën e 47 të saj, dhe vjen pasi Kryeministri Edi Rama tha dje se është i gatshëm për dialog.
“Lulzim ta kam thënë kaherë, jam i gatshëm për dialog sa herë PD do dialog dhe për gjithçka, kudo e kurdo! Caktoje vetë vendin dhe orën”, shkroi Rama dje në Facebook.
Por në këtë drejtim kreu i PD tha sot, se nëse do ketë dialog, ai do të jetë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke nënvizuar se vetëm në këtë mënyrë do i jepet fund rrugës së vjetër.
“Republika e vjetër, shpreson që nëpërmjet një dialogu fasadë të zhvillojnë zgjedhje fasadë në emër të pazareve në interes të kupolës, pra, që PD dhe opozita të marrë karriget e llokmat e saj në kupolën kriminale të Republikës së vjetër. Kjo është shpresa dhe orët në vijim do ta tregojnë këtë. Kjo jo vetëm nga Kryeministri dhe çeta e tij, por edhe nga oligarkët dhe kriminelët që duan të vazhdojnë të mbjellin Shqipërinë me drogë dhe nga pronarët e medieve të korruptuara, që janë pjesë e çetës së korruptuar dhe një grusht avokatësh ndërkombëtarë të kësaj qeverie që paguhen me parë e korrupsionit dhe të narkomania shqiptare”, u shpreh Basha. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





