
Kryedemokrati Lulzim Basha thotë se beteja e opozitës do të vijojë deri në përfundimin me fitore të kauzës së saj.
Duke folur sot nga çadra e protestës me përfaqësues të biznesit të vogël dhe të mesëm, ai tha se ky biznes është kolonë e ekonomisë shqiptare dhe e punësimit të shqiptarëve dhe e mirëqenies duke deklaruar se 88% e Produktit të Brendshëm Bruto, vjen prej kësaj sipërmarrje.
“Sot biznesi i vogël është në ditën e tij më të zezë dhe këtë shumë prej jush e dini sepse jeni marrë apo merreni, apo keni miq dhe të afërm, që nuk e fshehin dot më gjendjen e mjeruar të sipërmarrjes së vogël dhe të mesme. Gjendja e sipërmarrjes është e lidhur 100% me gjendjen e ekonomisë shqiptare”, u shpreh Basha.
Më tej ai tha se, sa më keq të jetë sipërmarrja dhe klima e biznesit, aq më keq do jetë ekonomia dhe aq më pak vende pune hapen dhe pagat mbeten në vendnumëro.
Sipas tij ekonomia shqiptare është shkatërruar nga një qeveri e lidhur me krimin, por tha se gjendja ekonomike e vendit është shkatërruar si rezultat i një komploti të madh kundër qytetarëve shqiptarë.
Kreu i PD tha se Republika e vjetër është një komplot kundër popullit shqiptar, ndërsa shtoi se para se të jetë një komplot politik, është një komplot ekonomik.
“Komploti i komploteve të Republikës së vjetër nuk është politik, por ekonomik. Si mund të mbahet në pushtet një grup njerëzish që rrit taksat dhe nuk bën asnjë investim që rrit ekonominë dhe hap vende pune. 27 mijë familje shqiptare kanë humbur të ardhurat si rezultat i komplotit të Republikës së vjetër”, tha ai.
Basha deklaroi se nuk ka pasur rritje pagash dhe pensionesh, por vetëm rritje taksash dhe rritjes së çmimit të naftës, energjisë elektrike, ujit dhe çmimet bazë të shportës dhe ushqimeve të shportës. Ai tha se qeveria, Kryeministri Edi Rama dhe pushtetarët janë hajdutë dhe kriminelë që duan të mbajnë pushtetin me çdo kusht./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





