
Edhe opozita në Këshillin Bashkiak të Tiranaës, do t’i bashkohet çadrës së protestës në bulevard. Kryetari i këshilltarëve të djathtë, Leonard Olli, tha se Partia Demokratike do të bojkotojë mbledhjet e Këshillit Bashkiak.
“Do të bojkotojmë mbledhjen. Do të jemi pjesë integrale e protestës së PD. Vendimi është marrë nga të gjithë anëtarët e opozitës në Këshill. Nuk do të jemi pjesë e farsës së pseudoreformave”, tha ai.
Në mbledhjen e sotme pritet të miratohet projektvendimi për “Krijimin e Agjencisë për Administrimin e Tregjeve, si institucion në varësi të Bashkisë Tiranë për administrimin dhe menaxhimin e shërbimeve të tregjeve publikë në Tiranë”.
Agjencia e Administrimit të Tregjeve të Bashkisë ka si synim ngritjen e një strukture administruese e cila do të zbatojë politikat zhvilluese të Bashkisë në lidhje me tregjet publik duke krijuar lidhjen e prodhuesit rural me konsumatorin urban, duke stabilizuar rrjetin e tregtisë me shumice e pakicë, rritur numrin e të punësuarve, reduktimin e informalitetit./k.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





