Transmetuar më 04-04-2017, 19:34

Deputeti dhe kryetari i LIBRA Ben Blushi ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me koordinatorët e Tiranës së kësaj partie. Teksa komentoi situatën politike në vend, Blushi tha se LIBRA është në opozitë me vullnetin e saj, pasi nuk pranon që vendi të drejtohet nga krimi.

“Shqipëria në lëngim, ka nevojë për zgjedhje. Ata që kanë gjithçka në dorë, kanë frikë të hyjnë në zgjedhje. LIBRA nuk ka frikë të hyjë në zgjedhjet e 18 qershorit. Në 5 muaj LIBRA është shtuar me 10 mijë anëtarë. LIBRA është në opozitë me vullnetin e saj dhe nuk e ka nxjerrë aksush në opozitë. Ne besojmë se nuk mund të drejtohemi më me krimin", tha Blushi.

Kreu i partisë më të re LIBRA ka komentuar edhe deklaratën e Ilir Metës, i cili foli për një qeveri besimi dhe u ofrua që LSI të dorëzonte mandatet. Blushi i kërkoi Metës që të bëjë në Kuvend një mocion mosbesimi dhe ai është gati ta votojë rrëzimin e qeverisë.

“I them të gjithë atyre që kanë votat në parlament, përfshi dhe LSI-në, që është gjysma e qeverisë, që nëse duan të bëjnë mocion për të rrëzuar qeverinë ne do jemi me votat tona pro. Jemi gati për ta rrëzuar këtë qeveri çdo ditë, ashtu siç jemi gati me të gjitha palët politike për të dialoguar. Por ne nuk jemi gati për të zëvendësuar një qeveri të Edi Ramës me atë të Sali Berishës. Të shkosh nga Rama tek Berisha është më keq të shkosh nga shiu në breshër”, u shpreh Blushi. /b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd