
Për deputetin e PS, Ervin Bushati kriza politike do të marrë shumë shpejt një zgjidhje, ndërsa deklaratat brenda koalicionit dhe propozimet e fundit, sipas tij e kanë origjinën nga fushata elektorale.
“Unë mendoj që shumë shpejt do të kemi një zgjidhje. Jemi në terren elektoral, të gjitha forcat kanë të drejtë të japin mendimin e tyre dhe të kërkojnë sa më shumë për të maksimalizuar votën e tyre në zgjedhje dhe çdo mendim do të ketë një peshë më të madhe dhe do shtohen më shumë ritmet e fushatës”, u shpreh Bushati.
Një përgjigje indirekte për vazhdimin e koalicionit e ka dhënë edhe kryetari i grupit të LSI, Luan Rama kur u shpreh se: “Jam bashkë me zotin Peza për të konfirmuar një unitet të LANC që Martaneshi dhe Peza kanë bërë bashkë dhe që nuk na ndan dot asnjë kod tjetër. Akoma me çadrën ju…”
Ai ndër të tjera hodhi poshtë mundësinë e një koalicioni mes PD dhe LSI, kur u përgjigj se nuk e kishte dëgjuar deklaratën e bërë nga Lulzim Basha.
I pyetur nëse edhe marrëdhënia brenda koalicionit është kaq e fortë, Dashamir Peza u shpreh “po”. Ndërsa për deputetin e PDIU Tahir Muhedini, Rama dhe Basha duhet të ulen për të gjetur një zgjidhje, pasi është kundër faktit që të shkojnë në zgjedhje dy parti dhe gjysma e popullsisë të mos shkojë.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





