
Shqiptarja 25-vjeçare që prej disa ditësh është në gjendje koma ka sjellë në jetë foshnjën e saj. Ndërhyrja e mjekëve italianë në spitalin e komunës së Torretes në provincën e Ankonës u bë në javën e 27-të të shtatzënisë.
Mjekët që kryen operacionin çezarian kanë deklaruar se gjendja shëndetësore si e nënës dhe e vajzës është mjaft e rënduar. Nëna e re shqiptare vazhdon të jetë në gjendje koma, ndërsa foshnja do t’i nënshtrohet një ekzaminimi të plotë mbi kushtet e saj neurologjike dhe të aparatit të frymëmarrjes.
Gjendjen shëndetësore të foshnjës e ka rënduar jo vetëm operacioni, por edhe të gjitha mjekimet e nevojshme që janë dashur për t’i shpëtuar jetën nënës së saj.
"Në luftë në emër të jetës dhe dashurisë së pakufishme të një nëne për fëmijën e saj", e cilësuan rastin në fjalë mediat italiane, përpjekjet e nënës së re shqiptare.
Shqiptarja ra në koma dhe ndodhet në Reanimacionin e Salesi-t për shkak të një hemorragjie në kokë, ndërsa mjekët kishin vendosur t’i plotësonin dëshirën për të vijuar sa më shumë shtatzëninë në mënyrë që vajza e saj të vinte në jetë.
Tashmë të gjithë janë në ankth, në pritje të një mrekullie që vogëlushja të shpëtojë, duke bërë realitet kështu edhe dëshirën e fundit të nënës së re shqiptare. /b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





