Transmetuar më 04-04-2017, 13:25

Godina e re e shkollës “Hoxha Tahsin” do të jetë gati në shtator për rreth 1 mijë nxënës që e frekuentojnë atë. Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka inspektuar punimet ku tha se shkolla do të vijë me trefishim të kapaciteteve të saj.

“Më vjen mirë që për herë të parë shkolla, jo vetëm shtohet dhe trefishohet si hapësirë, por i shtohen terrenet sportive; njëri do të jetë i hapur, këtu ku jemi ne, në oborrin e shkollës, kurse terreni i dytë do të jetë një palestër ultra-moderne, për t’u siguruar që shkolla është gjithashtu, edhe një qendër komunitare. Siç e shikoni shkolla është në zemër të banesave të lagjes në rrugën “Hoxha Tahsin”. Do të thotë se banorët mund ta frekuentojnë atë mbas orëve të mësimit, me fëmijët e tyre”, tha Veliaj.

Ai theksoi se kjo shkollë, por edhe gjithë investimet e tjera që po bëhen në Tiranë janë përgjigja më e mirë ndaj çdo përpjekje që me anë të debateve politike të ndalojnë ritmin e punës. 

“Për të gjithë ata që sot kërkojnë qeveri teknike apo pushtet në tavolinë duhet të kujtojnë që deri dje e kishin Tiranën, mund t’i kishin bërë të gjithë këto shkolla, të gjitha këto punë. Ndaj, është shumë e rëndësishme të mos humbasim më kohë, mos merremi më me llogje dhe me fjalë, të fokusohemi te puna.

Kush sot angazhohet në jetë publike e ka pas edhe shansin të tregojë çfarë pune di të bëjë. Ndaj unë besoj se njerëzit gjithmonë e më shumë, edhe në datën 18 qershor, por edhe në bisedat e përgjithshme, po vlerësojnë më shumë punën, një qeveri dhe një bashki që është e fokusuar te puna, sesa llogjet, çadrat edhe fjalët që s’kanë fund e as bereqet”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës. 

Shkolla e re do të ketë 4 kate me të gjitha ambientet e domosdoshme mësimore, si laboratorë dhe palestra me standarde. Gjithashtu, shkolla do të ketë edhe një terren sportiv të jashtëm/b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd