Transmetuar më 04-04-2017, 11:50

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka drejtuar një ftesë publike kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta që t’i bashkohet opozitës.

““Mbrëmë, duke vendosur interesat parësore për Shqipërinë, një nga dy partnerët kryesorë të koalicionit qeverisës ka bërë zgjedhjen e tij, dhe ne i themi; në se kjo zgjedhje është e sinqertë: Mirë se vjen tek Shqipëria e para, shqiptarët të parët! Nuk kemi kërkuar dhe as nuk kërkojmë pazare politike, aleanca të kurdisura në kurriz të interesit qytetar”, u shpreh Basha ditën e sotme nga çadra e protestës.

Kjo ftesë e tij vjen pasi Ilir Meta deklaroi ditën e djeshme se pa opozitën, LSI nuk hyn në zgjedhje, si dhe kërkoi krijimin e një qeverie besimi.

Ai tha më tej se ky është rasti t’i drejtohet një thirrje e drejtpërdrejtë njeriut që tashmë është zyrtarizuar si pengesa e vetme për zgjedhje të lira dhe të ndershme, njeriu që sipas tij, po vë pushtetin e tij dhe karrigen e tij para zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, Edi Ramës.

Ai e ftoi Kryeministrin të reflektojë dhe ti hapë rrugë një qeverie teknike me përbërje të gjerë politike. Më tej shtoi se nuk do lejohet asnjë pazar në kurriz të interesave të qytetarëve shqiptarë.

Sipas tij dita po afron kur pushtetin do e kenë shqiptarët. Po ashtu tha se zgjidhja për Shqipërinë në atë që e cilësoi krizë të thellë, nuk është një zgjidhje radikale dhe e ashpër, por një zgjidhje politike që i ofron Shqipërisë dhe shqiptarëve një rrugë të paqtë për rivendosjen e demokracisë dhe për rivendosjen e votës së lirë.

Basha tha se njeriu i vetëm që vendos pushtetin e tij dhe karrigen mbi shqiptarët, ka orën e fundit për të reflektuar.

Kreu i PD tha po ashtu se 46 ditë më parë nisi një marshim historik kombëtar dhe qytetar për të drejtën më të shenjtë që garanton dinjitetin e gjithë shqiptarëve, të drejtën për të votuar të lirë e të papenguar të drejtën për zgjedhje të lira e të ndershme.

Kryeopozitari deklaroi po ashtu se 46 ditë më parë Shqipëria ishte një vend i shpresës së vrarë dhe kjo sepse republika e vjetër ishte shndërruar dhe është shndërruar në një bandë të larjes së parave të kriminelëve me pushtet.

“Republika e vjetër është një komplot kundër qytetarëve të Shqipërisë nga i cili përfitojnë një grusht pushtetarësh. Qëllimi i republikës së vjetër, nuk mund të jetë mirëqenia e shqiptarëve, por pasurimi i këtij grupi njerëzish, i kësaj elite të korruptuar politike, e cila qëndron në pushtet vetëm dhe duke vjedhur paratë nëpërmjet tenderave korruptivë, vetëm duke zhvatur pasuri që i përkasin çdo shqiptari. Vetëm për ta shndërruar vendin në tre vite e gjysmë në një hambar të madh droge në çetën e krimit të organizuar dhe lavatriçen e parave të pista të pushtetarëve”, tha kreu i PD.

Basha deklaroi se Republika e vjetër e ka të domosdoshme kapjen e zgjedhjeve dhe zëvendësimin e vullnetit të qytetarëve me krimin dhe paratë e pista të korrupsionit.

“Kjo lëvizje është më e madhe se PD dhe opozita, se është lëvizja e një populli që ka vendosur të rrëzojë qeverisjen e vjetër, për të ardhmen e shqiptarëve dhe fëmijëve tanë.

Ditë për ditë në këtë shesh ne kemi qenë dhe jemi këtu me një moto, Shqipëria e para, shqiptarët të parët”, deklaroi Lulzim Basha, duke shprehur vendosmëri deri në fitoren e kësaj kauze kombëtare dhe demokratike.

Në këtë linjë tha se Republika e vjetër e mbushi Shqipërinë me drogë, në mënyrë që me paratë e drogës dhe krimit të organizuar t’u merrej qytetarëve shqiptarë, demokratëve dhe socialistëve, e drejta e fundit që e u kishte mbetur, e drejta për të votuar si njerëz të lirë./a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd