Deklarata e bërë mbrëmjen e djeshme nga kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i cili deklaroi se pa opozitën forca politike që ai drejton nuk do të hyjë në zgjedhje ndërsa kërkoi krijimin e një “qeverie besimi”, tronditi Partinë Socialiste.
Ditën e sotme vjen reagimi i parë nga selia rozë, nëpërmjet deputetit Namik Kopliku.
Nëpërmjet një postimi të gjatë në Facebook, ai thotë se PS nuk mund të votojë asnjë qeveri, pa Edi Ramën Kryeministër.
Ai deklaron se Edi Rama nuk e ka zgjedhur veten në atë detyrë, por ai është mandatuar nga shumica parlamentare që përfaqëson shumicën e votuesve në vitin 2013.
"Si deputet, përfaqësues i votuesve të PS në qershor 2013, të cilët kanë votuar njëherësh për PS-në dhe Edi Ramën Kryeministër, unë në Kuvend nuk kam të drejtë morale ti nënshtrohem asnjë “llogari politike” dhe aq më pak “presioni” nga kushdo qoftë, duke anashkaluar vullnetin e atyre që na zgjedhin me mirëbesim se përfaqësojmë ata dhe jo veten tonë personalisht", shprehet ai.
Postimi i plotë i deputetit të PS
“Nisur nga kriza artificiale e provokuar nga opozita javët e fundit, si dhe nga zgjidhjet e propozuara apo supozuara nga faktorë të tjerë këto ditë, për qeveri “teknike” apo “simpatike”, qeveri të “besimit” apo “nënshtrimit”, qarkullojnë zëra për një lëshim që i duhet bërë opozitës. Mbi të gjitha (mbase i vetmi, por i kamufluar me të tjera kërkesa) kërkohet që Edi Rama të mos jetë Kryeministër deri në zgjedhje (a thua do e mirëprisnin si Kryeministër pas fitores së zgjedhjeve?!). Edi Rama nuk e ka zgjedhur veten në atë detyrë, por ai është mandatuar nga shumica parlamentare që përfaqëson shumicën e votuesve në vitin 2013. Pra, edhe sikur të mendohet që kjo mund të qetësojë opozitën dhe faktorë të tjerë, ai nuk ka të drejtë të vendosë në kundërshtim me votuesit e PS, anëtarët e PS, organet drejtuese të PS si Asambleja Kombëtare dhe kongresi i PS. Nisur nga sa më sipër, nëse do bëhej diskutim në strukturat e PS si Asambleja Kombëtare apo Kongresi, do i nënshtrohesha vendimit të shumicës. Si deputet, përfaqësues i votuesve të PS në qershor 2013, të cilët kanë votuar njëherësh për PS-në dhe Edi Ramën Kryeministër, unë në Kuvend nuk kam të drejtë morale ti nënshtrohem asnjë “llogari politike” dhe aq më pak “presioni” nga kushdo qoftë, duke anashkaluar vullnetin e atyre që na zgjedhin me mirëbesim se përfaqësojmë ata dhe jo veten tonë personalisht.
“Nëse ndokush e konsideron këtë deklaratë publike si “shkelje syri” apo “dashuri të zjarrtë” për kryetarin e PS në periudhe hartimi listash përfaqësimi të subjekteve politike në zgjedhjet e 18 qershorit, nuk kam mundësi ti bind që nuk është ashtu, sido që gjatë mandatit tim jam ndër të rrallët apo shumë të rallët që publikisht jam shprehur dhe kam kundërshtuar kur nuk kam qenë dakord me kryetarin e PS-së. Deklaratën e bëj për të sqaruar edhe ndokënd brenda radhëve të PS apo përtej, të “trembur nga bubullimat” e çadrës dhe rretheqark asaj çadre, që ky është arsyetimi im si deputet dhe përse nuk do votoj në asnjë rrethanë një qeveri pa Edi Ramën Kryeministër. PS: Më datë 18 qershor le të vendosë vetë populli shqiptar se kë dëshiron Kryeministër./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd