



Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, njëherësh kryetar i Parlamentit, tha sonte se partia që ai drejton nuk ka ndërmend të hyjë në zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës.
Duke folur pas mbledhjes së Kryesisë së LSI, z.Meta foli për një “qeveri të besimit”, për të cilën sqaroi se jo domosdoshmërisht mund të jetë qeveri teknike, duke vlerësuar se nëse krijohet besim tek institucionet, edhe qeveria aktuale mund të vazhdojë, por jo pa pëlqimin e opozitës.
“LSI deklaron se vendi në këto momente ka nevojë për një qeveri të besimit për zgjedhje të gjithëpranuara, e cila do të garantojë mos përfshirjen e administratës në zgjedhje dhe në veçanti policisë së shtetit”, tha Meta.
“Rama duhet të punojë t’i japë besim opozitës për zgjedhje”, – shtoi Meta, i pyetur nga gazetarët, nëse në këtë qeveri besimi, parashikohet që Rama të vijojë të jetë kryeministër.
“Situata politike është tejet e tensionuar. Retorika politike po dominon zhvillimet dhe kushtet politike. Çdo vonesë e çon vendin në drejtime të panjohura. Ndaj Rama dhe Basha duhet të heqin dorë nga qëndrimet përjashtuese dhe individuale”, – theksoi z.Meta.
Meta tha se LSI vë në dispozicion të gjitha mandatet e saj, nga kreu i Parlamentit deri te të gjithë ministrat e saj.
“LSI vendos të vërë në dispozicion mandatet e ministrave si dhe të gjithë postet politike të përfaqësimit të saj”‘, tha Meta.
Sa i përket koalicionit me PS, Ilir Meta deklaroi se është gati që të vazhdojë koalicionin dhe të hyjë në zgjedhje me aleatin e tyre. Por për këtë ka një kusht. Sipas Metës, kushti është që Edi Rama dhe lidershipi i PS të dialogojnë me opozitën dhe të krijojnë garanci për zgjedhje të lira dhe demokratike, që në këtë mënyrë do të bëjnë të mundur pjesëmarrjen në zgjedhje të opozitës.
“Meqenëse ka kaluar afati i 1 prillit, LSI është e hapur të afirmoj për zgjedhjet e ardhshme koalicionin me PS, bazuar në arritjet e deritanishme të koalicionit aktual dhe të reflektimit serioz të mënyrës së funksionimit dhe analizës së objektivave të parealizuara ende”.
“Nëse lideri i PS nuk garanton zgjedhje të lira dhe dhënien e të gjitha garancive të mundshme për opozitën që të jetë e procesit zgjedhor, LSI nuk mund të jetë pjesë e një koalicioni të tillë dhe as një farse elektorale. LSI mes të majtës dhe të djathtës, zgjedh të majtën. Mes zgjedhjeve demokratike dhe farsës, zgjedh zgjedhjet demokratike. Mes demokracisë dhe diktaturës, zgjedh demokracinë”, – paralajmëroi z.Meta..
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





