Transmetuar më 03-04-2017, 17:58

Muzika dhe arti shqiptar humbën pasditen e kësaj të hëne një nga ikonat e tyre, këngëtarin e mirënjohur Françesk Radi. Që prej vitit 1992, Radi i ka dhënë vazhdimisht publikut shqiptar këngë të cilat mbahen mend edhe sot e kësaj dite.

Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor.

Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972. Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun.

Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasëm ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut. 

Françesk Radi ka frymëzuar një sërë artistësh dhe personazhesh të njohura me muzikën e tij. Shumë prej tyre kanë zgjedhur rrjetet sociale për të shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet e tyre për humbjen e artistit të njohur. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd