
Ndahet nga jeta këngëtari i njohur Françesk Radi. Prej disa ditësh ai ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore i shtruar në reanimacion për shkak të një hemorragjie, ndërsa sot ka ndërruar jetë.
Këngëtari u shtrua në spital më 27 mars. Për gjendjen e tij të rëndë foli edhe bashkëshortja e tij Tefta Radi, e cila kërkoi lutje nga të gjithë shqiptarët pasi çdo gjë që ishte në dorë të mjekëve ishte kryer. Por pavarësisht përpjekjeve ai nuk mundi t’ia dilte.
Pak orë pas shtrimit të tij mjekët pohuan se Radi është shtruar në reanimacionin qendror në QSUT dhe gjendja e tij është shumë e rëndë. Mjekët bënë të ditur se këngëtari ka pasur hemorragji masive të trurit.
Kush është Françesk Radi
Këngëtari i njohur dhe dashur për publikun Françesk Radi ka kryer Liceun Artistik dhe më pas Akademinë e Arteve në Tiranës. Për një periudhë të gjatë kohe ka punuar në Estradën e Shtetit me instrumentin e kitarës, por njëkohësisht dhe si kantautor. Në vitin 1992 ai ka filluar punë në Radio Tirana si solist, instrumentist, gjatë kësaj kohe ka kompozuar dhe kënduar shumë këngë në festivalet e ndryshme.
Në fillimet e tij me krijimtarinë muzikore solli për publikun këngët “Adresa” dhe “Biçikleta”, dhe që nga ai moment Françesk Radi u bë një emër i vlerësuar. Ishin pikërisht dy këngët e tij të para të realizuara në vitet ’70, që bënë që krijimtaria e tij artistike të niste rrugëtimin drejt suksesit muzikor.
Kënga “Adresa” dhe “Biçikleta” kanë qenë dhe videoklipet e para shqiptare në këngë të xhiruar në vitin 1972. Më pas krijimtaria e tij muzikore do të shënonte sërish një tjetër kulm pas viteve ’90, duke sjellë disa krijime për publikun. Përmendim këtu këngët “Rroku i burgut”, “Humba pranverën”, “Telefonatë zemrash”, “Zemër e lodhur”, “Ky fat na ra”, “Kemi dasëm ‘o” etj, të cilat kanë mbetur në kujtesën e publikut.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





