Transmetuar më 03-04-2017, 14:01

Orët e fundit janë mbushur me hamendësime dhe zëra nga më të ndryshmit lidhur me ecurinë e koalicionit mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste, pas darkës katërorëshe të së dielës mbrëma, mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryeparlamentarit Ilir Meta.

Por ndërsa flitej për një marrëveshje të mundshme mes dy forcave qeverisëse, nënkryetari i LSI, Luan Rama, mohon që mes dy forcave të jetë arritur një marrëveshje.

“Kush ju tha se ka një marrëveshje?! Mos ishit gjë aty”, u shpreh Rama ditën e sotme në një prononcim për gazetarët.

Më tej lidhur me vendimin e LSI për koalicionin me të cilin do të dalë në zgjedhje, ai sqaroi se forumet e LSI do të mblidhen në respekt të të gjitha afateve dhe axhendës politike dhe elektorale.

Rama sqaroi se mund të thirret Kryesia, Komiteti Drejtues Kombëtar dhe po qe nevoja dhe Asambleja Kombëtare, por çdo gjë në kohën e duhur.

Ai tha më tej se për zgjedhjet e përgjithshme angazhimi i LSI, është që të jenë zgjedhje për Shqipërinë dhe jo partinë.

Lidhur me regjistrimin e anëtarit të LSI për KZAZ-në në zgjedhjet e pjesshme të Kavajës, z.Rama u deklarua i prerë, kur tha se “LSI nuk merr pjesë në zgjedhjet e Kavajës".

“LSI as nuk është regjistruar e as do regjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kavajës. Ky ka qenë një qëndrim institucional dhe transparent. E përsëris se nuk do të jemi pjesë e procesit zgjedhor për Bashkinë e Kavajës”,  “Anëtari i KZAZ që është pjesë e administratës zgjedhore, ka shkuar në këtë KZAZ për të mos bllokuar funksionimin e KZAZ. Por kjo nuk është pjesëmarrje e LSI në zgjedhje. Nuk jemi pjesë e procesit as për të mbështetur dhe as për të votuar për zgjedhjet e Kavajës”, u shpreh Luan Rama.

Sa i takon zgjedhjeve të përgjithshme, Rama tha se, “angazhimi dhe investimi ynë është të jenë zgjedhje për Shqipërinë e jo për partinë”. 

"Për LSI është i rëndësishëm procesi zgjedhor, zgjedhje të lira dhe të ndershme mbi bazën e standardeve dhe rekomandimeve të OSBE- ODHIR. “Gjithë të tjerat janë lloqe Kavaje”, tha Luan Rama./a.y/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd