



Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi rezervoi një pritje për fituesit e medaljave në Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore 2017. Atletët, Kushtrim Veseli dhe Medina Surdulli, fituan tre medalje në këto lojëra olimpike që u mbajtën në Schladming të Austrisë. Përpara sportistëve, presidenti Thaçi u shpreh krenar për arritjet e tyre.
“Kam qenë i bindur në fitoren tuaj. Ne jemi shumë krenarë me ju, sepse fitoret tuaja nderojnë edhe shtetin e Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.
Nga Lojërat Olimpike Speciale Botërore Dimërore 2017, dy atletët tanë u kthyen në Kosovë me tri medalje, një medalje të arit dhe dy medalje të argjendta.
Atleti i Olimpiadës Speciale të Kosovës, Kushtrim Veseli, fitoi dy medalje në dy kategori.
Në kategorinë e skijimit “Alpine Novice Giant Slalom”, atleti Veseli fitoi vendin e parë dhe u dekorua me Medaljen e Artë, kurse në kategorinë “Alpine Novice Slalom”, ai fitoi vendin e dytë dhe u dekorua me Medaljen e Argjend.
Ndërkaq, atletja Medina Surdulli fitoi vendin e dytë në kategorinë “Alpine Novice Giant Slalom” dhe u dekorua me Medaljen e Argjend.
Presidenti Thaçi u premtoi mbështetje për pjesëmarrje edhe në olimpiada të tjera dhe i inkurajoi që të punojnë dhe të përgatiten për sukseset e radhës./k.k/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





