Transmetuar më 02-04-2017, 22:17

Sulejman Starova dhe Ilir Daja, trajnerët e Partizanit dhe Skënderbeut, kanë folur pas takimit me të kuqve dhe korcarëve. Për kreun e pankinës së “Demave të Kuq”, fitorja ishte e merituar dhe se skuadra e tij ishte përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje.

“E para duhet të them që kjo ishte një fitore e merituar, tre pikë shumë të çmueshme ndaj rivalit tonë më të fortë, siç është edhe Kukësi. Ndaj edhe ka vlerë. Kemi qenë rreth 7 pikë mbrapa, sot jemi 5 pikë para, llogariteni sa kemi fituar. Kemi bërë lojë të mirë e sigurisht që edhe kemi gabuar. Me të drejtë pas 1-0 u tërhoqëm por Skënderbeu nuk krijoi rast, ne gabuam në kundërzbritje, kemi thyer 4 aksione siç ishte i Cetkoviç, ka shpërdoruar Ekuban vazhdimisht, por të kishim shënuar golin e dytë, do të shihnit spektakël. Po të ndodhte larg qoftë të pësonim me të parët, do ta shihnit nga ne atë lojë, jo nga Skënderbeu. E përgjithshmja është fitore e mrekullueshme, komplimente gjithë çunave që u dhanë një fitore shumë të bukur tifozëve sot që kishin mbushur stadiumin. Por do analizojmë do nxjerrim anët pozitive dhe ato negative”, tha tekniku Starova.

Ndërkohë, trajneri i “Ujqërve të Dëborës” nuk e fshehu zhgënjimin nga ky rezultat, edhe pse ndan bindjen se skuadra e tij ishte më lart se kundërshtari.

“Natyrshëm që, përveç lojës, sot kishim ardhur edhe për të marrë fitore. Nëse do të luanim sërish, do ta interpretonim ndeshjen po njëlloj. Mendoj se sot nuk kishim as fatin me vete, pasi e goditëm vazhdimisht portën kundërshtare dhe u ndëshkuam nga një gjuajtje e tyre. Unë besoj se ishim më lart se kundërshtari. Pas ndeshjes u thashë lojtarëve se jam krenar që i drejtoj”, tha Daja.

Asnjëri prej trajnerëve nuk e quan të mbyllur çështjen e titullit kampino.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd