Transmetuar më 02-04-2017, 18:59

Kryeministri Edi Rama shprehu qëndrimin e tij pasditen e sotme, për bojkotin e opozitës në Parlament dhe protestën e saj.

Rama sfidoi Bashën duke pretenduar se as SHBA dhe as BE nuk e mbështetin protestën opozitare.

“Sot dua t’ju them me sinqeritet dhe siguri se as SHBA dhe BE nuk e mbështesin protestën e PD, të ngatërrosh mbështetjen për zgjedhjet me marrëzinë e destabilizimit. Shqipëria nuk i ka asnjë borxh PD dhe lidershipit të saj se ka frikë nga drejtësia, për të mbrojtur gjykatësit nga Vettingu”, u shpreh Rama.

Deklarata e Ramës vjen pak orë pasi në mënyrë të përsëritur, lideri demokrat Basha ka deklaruar se ka mbështetje të gjerë ndërkombëtare si nga SHBA dhe nga BE për kauzën e protestës së tij.

Në lidhje me deklaratat e bëra nga kreu i PD-së Lulzim Basha që opozita nuk do hyjë në zgjedhjet e 18 qershorit, kryeministri risolli rastin kur “Berisha refuzoi hetimin e zgjedhjeve të 2009, ne i kontestuam dhe u futëm në grevë por nuk i bojkotuam zgjedhjet e 2011, kur na vodhën në Tiranë”.

“Kërcënojnë se nuk futen në zgjedhje, madje do pengojnë popullin, nuk është dëgjuar askund një budallallik i tillë. A është demokratike nëse opozita nuk do zgjedhje? Nuk detyrojmë që të hyjnë në zgjedhje nëse nuk duan. Opozita nuk është monopoli i një partie. PD e katandisur nga një alternativë në çadër kërcënimesh, ndoshta është fundi i kësaj partie”, u shpreh Rama. 

Në “Komunikimin javor” me ndjekësit në Facebook, gjatë pasdites së sotme Rama u ndal edhe kërkesa për qeveri teknike, ku shtroi disa pyetje për opozitën.

“Nëse opozita nuk do zgjedhje a është demokratike që të mos bëhen?”, – tha Rama duke shtuar: “Demokracia nuk ndalon askënd të hyjë në zgjedhje dhe nuk detyron askënd kur ata nuk duan. Demokracia nuk është përdhunimi i shumicës nga pakica, prandaj është pluralizëm. Mbase kjo derexhe e Partisë Demokratike nga një alternativë qeverisëse….

Keqardhje për ata që e votojnë, por kurrsesi ata që e drejtojnë. Ne nuk kemi ndërmarrë asnjë nismë për të ndaluar Partinë Demokratike që të vrasë veten”.

“Aleanca e turpshme elitës së Partisë Demokratike me kastën e korruptuar të gjykatësve dhe prokurorëve, çadra e ngritur është streha e natës së gjatë. Nuk kemi asnjë opozitë tjetër që të ketë shfaqur në këtë mënyrë panikun nga drejtësia”, – u shpreh Rama. /noa.al/ 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd