Transmetuar më 02-04-2017, 15:16

Tiranë, 2 prill 2017, NOA.al – Kryeministri Edi Rama ashtu siç ka bërë dhe herë të tjera nga mbledhja e Asamblesë së Partisë Socialiste ditën e sotme, ftoi Lëvizjen Socialiste për Integrim që të përgjigjet lidhur me vendimin e marrë për ecurinë e koalicionit.

Duke folur për koalicionin me LSI, ai tha se ka shqetësime të ndryshme, ku ka disa që e shohin si një martesë të ezauruar, disa si mëkat, duke shtuar se arsyet e këtyre përjetimeve janë nga më të ndryshmet, herë të drejta, herë të pajustifikuara.

Sipas tij cilësia e koalicioni nuk matet me llafe e thashetheme dhe se koalicioni me LSI nuk varet nga llafet dhe shkrimet e mediave, por nga pasioni dhe dashuria për vendin. Rama tha më tej se duke qenë se PS është e qartë, i takon LSI të vendosë në ditët në vijim për ecurinë e koalicionit.

Lidhur me këtë qëndrim të tij, ka reaguar nënkryetari i LSI, Luan Rama, duke thënë se Kryeministri dhe ministrat e tij, analizat e qeverisjes në këto katër vite, duhet t’i bënin bashkë me LSI.

“Retorika patetike e PPSH-së se 1989 nuk na ndihmon për Shqipërinë Europiane. Analizën e qeverisjes duhet ta bëjmë së bashku jo me eufori dhe njëanshmëri. Për LSI-në ministri më i suksesshëm është Bledi Cuci që drejtoi reformën administrative. Bledi Çuçi ministri me i suksesshëm, nuk duhej shkarkuar. Ne socialistet që mbajmë mend Libofshën nuk mund t’ia leme kauzën e zgjedhjeve të lira çadrës së Saliut. Zgjedhjet e lira e pluraliste kauza jone e madhe”, tha Luan Rama në një prononcim për ‘Balkanweb’.

Sipas tij, kritikat parimore as Ramiz Alia nuk i konsideronte helm për qeverisjen.

“LSI ka reaguar dhe ka ndryshuar ministrat për përmirësimin e qeverisjes. Reflektimi është shenje përgjegjshmëri, mendjemadhësia dhe arroganca çojnë ne keqqeverisje!”, – deklaroi ai.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd