Transmetuar më 02-04-2017, 13:23

Tiranë, 2 prill 2017, NOA.al- Një furtunë e vërtetë shkarkimesh ka përfshirë policinë e Kurbinit për shkak të hetimeve në luftën kundër lëndëve narkotike.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako në një dalje për mediat ditën e sotme, deklaroi se me kontrollin e territorit nga toka dhe ajri, policia ka marrë një sërë masash. A bëri me dije se në Kurbin është konstatuar një parcelë e porsambjellë me 513 fidanë kanabis, çka ka bërë që të nisin hetimet.

“Me urdhër të drejtorit të Policisë, ka nisur procedimi disiplinor për policët e Kurbinit. U konstatuan një sërë shkeljesh nga policia e Kurbinit për të cilët në bazë të ligjit të policisë, u morën një sërë masash”, tha Çako.

Ai kujtoi se të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe punonjësit e policive private kanë marrë porosi dhe kanë filluar të vetëdeklarojnë se ata dhe familjarët e tyre nuk do të përfshihen në kultivimin e bimëve narkotike.

Më konkretisht masa ndëshkimore u morën për inspektor Gjon Deda, me detyrë Ndihmës specialist, në Njësinë Administrative Fushë Kuqe, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u përjashtua nga Policia e Shtetit.

– Nënkomisar Edvin Toptani me detyrë, specialist në Seksionin e Hetimit të Krimeve, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u përjashtua nga Policia e Shtetit.

– Komisar Leonard Palushi, me detyrë shefi Seksioni për Krimet, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u shkarkua nga detyra.

– Komisar Xhafer Kalbaj, me detyrë shef i Seksionit të Policimit në Komunitet, Komisariati i Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u shkarkua nga detyra.

– Kryekomisar Feliks Hysa, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Kurbin, për shkelje të rënda disiplinore, u shkarkua nga detyra.

– Kryekomisar Maksim Bejko, me detyrë Shefi i Sektorit të Krimeve në Drejtorinë e Policisë Vendore Lezhë, për shkelje disiplinore, u pezullua nga detyra, deri në përfundim të hetimit disiplinor.

Gjithashtu Drejtoria e Standardeve Profesionale ka filluar procedimin disiplinor për Drejtorin dhe Zëvendësdrejtorin e Policisë Vendore Lezhë, me qëllim sqarimin e përgjegjësive drejtuese dhe organizative të strukturave në vartësi./a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd