Transmetuar më 02-04-2017, 12:07

Tiranë, 2 prill 2017, NOA.al- Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë së Partisë Socialiste, i bëri thirrje të gjithë socialistëve që në zgjedhjet e 18 qershorin të mbështesin projektin e qeverisë së Edi Ramës për të vijuar transformimin e të gjithë Shqipërisë.

Duke folur ditën e sotme në Asamblesë së Partisë Socialiste Veliaj kërkoi nga gjithë socialistët, por edhe qytetarët që të mbështesin alternativën e Partisë Socialiste në 18 qershor si e vetmja garanci për të vijuar projektet transformuese të qyteteve.

“Vetëm qeveria e Edi Ramës do projektin e transformimit të qyteteve tona. Sot në total në gjithë bashkitë e Shqipërisë janë mbi 500 projekte dhe mbi 450 milionë euro të investuara. Të pa imagjinueshme. Nga Tamara në Konispol Shqipëria po transformohet dhe shërbimet që qytetarët marrin përditë pranë bashkive kanë vetëm një garanci, garancinë e qeverisë dhe fitores së PS-së në datën 18 qershor dhe të Edi Ramës kryeministrit të fuqishëm të këtij vendi, që siç transformoi qytetin tonë, Tiranën, po transformon gjithë vendin”, u shpreh Veliaj.

Ai tha më tej se se qytetarët e Tiranës nuk do të harrojnë projektet që nisën nga Edi Rama për transformimin e qytetit dhe shkatërrimin që pësoi kryeqyteti kur e djathta mori drejtimin e bashkisë.

“Ne në Tirane e mbajmë mend se çfarë ndodhi me sheshin “Skënderbej, u shkatërrua një projekt i cili nisi nga Edi Rama dhe bashkia dhe u kthye në një lëndinë për Skënderbeun. Ne në tiranë e mbajmë mend se çfarë ndodhi me Zogun e Zi kur një investim gjigant i bashkisë që do të sistemonte trafikun në tiranë, u shkatërrua në mënyrë barbare sapo ata erdhën në pushtet. Ne në tiranë nuk harrojmë vjedhjen e zgjedhjeve në 2011 dhe mënyrën se si u pezullua jeta për të gjithë investimet publike. Vetëm qeveria e Edi Ramës do të vazhdojë projektin e transformimit të qyteteve tona”, tha Veliaj.

Veliaj deklaroi se një vit e gjysmë më parë, Tirana ishte në gjumë. “E mbani mend spotin tonë pa asnjë fjalë, një kryetar bashkie që e kishte zënë zyrën, divanin për të gërhitur e tani gërhima vazhdon në çadër dhe gërhima e çadrës ofrohet si alternativë. Gërhima nuk është alternativë dhe tani që kemi zgjuar qytetet tona nga gjumi, ne nuk ndalemi më, ne nuk ndalemi më”, tha ai.

Ai shtoi se ndryshe nga Partia Socialiste alternativa tjetër, ajo e opozitës është ta kthejë dhe një herë Tiranën dhe gjithë Shqipërinë në shkatërrim. Ndaj, tha ai, vota e 18 qershorit merr një rëndësi shumë të madhe për drejtimin që duhet të ndjekë vendi. “Oferta e çadrës është që na jepni një shans që pasi shkatërruam bashkinë, të shkatërrojmë edhe një herë shtetin shqiptar për ta kthyer edhe një herë në borxhe. Nuk ka kthim mbrapa”, deklaroi Veliaj.

Kreu i bashkisë tha se sot falë punës që është bërë dhe projekteve të realizuara, qytetarët mund të shihen në sy. 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd