Transmetuar më 02-04-2017, 10:23

Tiranë, 2 prill 2017, NOA.al- Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e mbledhur ditën e sotme në prag të fushatës elektorale, nisi me fjalën e ish- ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Tahiri deklaroi se në çadër ose jo, fusin kokën ata që duan t’i fshihen drejtësisë.

Më tej ai tha se në takimet që po zhvillon me qytetarët, i kërkohet që PS të mos dalë në zgjedhje me këtë apo atë parti.

“Gjëegjëza e koalicionit bëhet për të kuptuar se nuk ka koalicion më të madh se koalicioni me shqiptarët në çdo qendër votimi, në çdo lagje e shtëpi, s’ka aleatë më të fortë se burrat e gratë, të rinjtë dhe të rejat”, deklaroi Tahiri.

Në këtë linjë tha se kush do Shqipërinë më të mirë, ata janë aleatët, duke thënë se “Ne nuk duam koalicion sa për të mbledhur ca vota, ne duam koalicion për të fituar jo për karriget e politikës”.

Po ashtu ai tha se vendi ka Kryeministrin më të mirë të 25 viteve të fundit, duke shtuar se PS është më e fortë se kurrë dhe bashkë me shqiptarët do fitohet më shumë se kurrë.

“Me të gjithë përballë Partia Socialiste do fitojë, në Tiranë e kudo. Edhe vetëm Partia Socialiste do fitojë, kemi njerëzit më të mirë dhe qeverinë më të mirë”, deklaroi ai.

Ai u kthye katër vite pas në kohë, duke thënë se Shqipëria u gjet e shkatërruar, rrënuar dhe përdhosur.

Duke shigjetuar opozitën ai tha se flet e flet jo për të treguar një të vërtetë, por për të ndërtuar një gënjeshtër të madhe.

“Ndjesë çdo socialisti e çdo shqiptari për çdo punë që nuk kemi bërë, por më shumë kemi për të bërë bashkë. Ndjesë nëse kemi bërë ndonjë punë të bërë bashkë, por sa më e vështirë të jetë puna, aq më e madhe ka qenë pengesa”, u shpreh Tahiri.

Sipas tij, Shqipëria ka shumë për të humbur nëse bëhet qoftë edhe një hap mbas, duke thënë se përballë janë të njëjtët njerëz që nga 1990 tha ai, i rrinë mbi kokë popullit dhe që deri para 3 vjet e pak ishin në pushtet./a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd