Transmetuar më 18-03-2017, 08:58

Fier, 18 mars 2017, NOA.al- Një shumë e madhe parash, e pronarëve të kompanisë së karburanteve “Bolv Oil”, të cilat konsiderohen të dyshimta janë sekuestruar.

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Fierit, ka sekuestruar 245.253 dollarë, 280 mijë lekë të reja dhe 110 mijë euro, të shoqërisë “BP-2014”.

Këto para ishin të depozituara nga ortakët e shoqërisë “Bolv Oil”, B.Ç., dhe D. C., në tre banka të nivelit të dytë.

Hetimet vazhdojnë për llogari të tjera bankare të kësaj shoqërie dhe përfaqësuesve të saj të cilët dyshohen për pastrim të produktit të veprës penale apo veprimtarisë kriminale.

Neni 287 – Pastrimi i produkteve të veprës penale

1. Pastrimi i produkteve të veprës penale i kryer nëpërmjet:

a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, që dihet se është produkt i veprës penale, për fshehjen, mbulimin e origjinës së pasurisë ose dhënien e ndihmës, për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale;

b) fshehjes ose mbulimit të natyrës, burimit, vendndodhjes, vendosjes, zhvendosjes së pronësisë ose të të drejtave të tjera, që lidhen me pasurinë që është produkt i veprës penale;

c) kryerjes së veprimeve financiare dhe transanksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas ligjit për pastrimin e parave;

ç) shfuqizuar;

d) këshillimit, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;

dh) përdorimit dhe investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave ose sendeve, që janë produkte të veprave penale, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet dhe me gjobë nga 500 mijë lekë deri në 5 milionë lekë.

2. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 800 mijë lekë deri në 8 milionë lekë, ndërsa kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga 3 milionë lekë deri në 10 milionë lekë.

3. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe në rastet kur personi, që ka kryer veprën prej së cilës burojnë produktet e veprës penale, nuk mund të merret i pandehur, nuk mund të dënohet, ekziston një shkak që e shuan veprën penale ose mungon njëri nga kushtet e procedimit penal për një vepër të tillë./a.y/noa.al