Transmetuar më 10-03-2017, 08:24

Hyjnë në fuqi tarifat që do të paguhen për kategoritë shtesë të patentave. Tarifat që do të aplikohen për 15 kategoritë e lejeve të drejtimit përcaktohen në udhëzimin e Ministrisë së Transporteve, që u botua dje në Fletoren Zyrtare.

Nga janari i këtij viti, kategoritë e lejeve të drejtimit janë shtuar, nga 8 kategori që ishin më parë, janë bërë 15 kategori lejesh drejtimi. Udhëzimi i Ministrisë së Transporteve përcakton tarifat që do të paguhen për 15 kategoritë e lejeve të drejtimit.

Tarifat variojnë nga 2 mijë lekë deri në 4500 lekë dhe ndryshojnë sipas kategorive. Udhëzimi i Ministrisë së Transporteve përcakton katër vlera tarifash për 15 kategoritë e patentave.

Udhëzimi përcakton grupimin e kategorive të reja të lejeve të drejtimit, por duke mos ndryshuar vlerën e shërbimit.

Po t’i referohesh udhëzimit bazë që hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti, tarifat janë të njëjta, vetëm për çdo grupim kategorie janë shtuar edhe kategoritë e reja të lejeve të drejtimit.

Udhëzimi përcakton që për shoferët të cilët pajisen me patentë për të drejtuar çiklomotor deri në 50 kubikë, që i përket kategorisë AM, do të paguhen 3 mijë lekë. Bëhet fjalë për tarifën që paguhet në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor pas përfundimit të testimit. Për këtë kategori, leja e drejtimit merret vetëm me testim teorik.

Të njëjtën tarifë do të paguajnë edhe për patentat e kategorive të reja, A1 dhe A2. Për shoferët që pajisen me patentë të kategorive B1 dhe B, do të paguhet 4500 lekë. Ndërsa për patentat e kategorive C1 e C, tarifa që do të paguhet është 2 mijë lekë.

Për lejedrejtim të kategorive D1 dhe D do të paguhet tarifa 3 mijë lekë. Tarifa prej 3 mijë lekësh do të paguhet edhe për patentat e kategorive B96, BE, C1E, CE, D1E dhe DE. Të njëjtat tarifa do të paguhen edhe për ata shoferë, të cilët duhet të rinovojnë patentën aktuale.

Edhe pse prej 1 janarit ka nisur shpërndarja e modeleve të reja të patentave, kjo nuk e kushtëzon qytetarin ta ndryshojë. Patenta aktuale është në fuqi deri në momentin e përfundimit të afatit të vlefshmërisë.

Më herët, për patentat ndryshoi edhe vlerësimi i pikëve për testimin e njohurive teorike. Për testimin e njohurive teorike, numri i pyetjeve nuk ka ndryshuar, por vetëm marzhi i lejuar i gabimit, shkruan ‘panorama’.

Pra nëse më parë për 40 pyetje të testimit teorik marzhi i lejuar i gabimit ishte 7, me ndryshimet e bëra, për 40 pyetje marxhi i gabimit të lejuar do të jetë 4.