Transmetuar më 06-03-2017, 15:56

Në foto: Alban Voda

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli evidentoi sot ministrinë e Blendi Klosit si përgjegjëse për dhënie ndihme psikologjike ndaj ish komandos në Këlcyrë i cili fundjavën që lamë pas kreu një krim të tmerrshëm duke i prerë kokën fqinjit të tij të moshuar.

Komentet e saj zonja Kodheli, kandidate e mundshme për Presidente të Republikës, i bëri sot ndërsa iu bashkua nismës së shoqërisë civile duke firmosur në Tiranë peticionin në mbështetje të reformës në drejtësi.  Kodheli u ndal te rasti i 30-vjeçarit Alban Voda kur iu përgjigj dhe pyetjeve të gazetarëve në lidhje me forcat komando, mënyrën e përzgjedhjes, kujdesin gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës dhe çfarë duhet të mbajë parasysh shoqëria për ta, pas daljes në lirim.

Një nga pyetjet që iu drejtua zonjës Kodheli ishte se çfarë po ndodh me ish – komandot të cilët kanë qenë në shërbim në Afganistan, të cilët kur kthehen nga shërbimi pak vite më pas bëhen pjesë e veprave të tmerrshme penale, ku veçon rasti i djeshëm teksa një ish – komando vrau një person, duke e therur.

A trajtohen psikologjikisht këta persona për traumat e luftës që marrin gjatë kohës që janë në shërbim? A funksionon qendra e psikologjisë?

Zonja Kodheli pranoi se të tilla ngjarje të rënda, si reagime të atyre që vijnë nga pjesëmarrja ushtarake në vatrat e luftës, është një problem jo vetëm i ushtrisë sonë, por i gjithë ushtrive NATO dhe jo vetëm NATO-s.

“Ngarkesa emocionale psikologjike është e madhe ndaj edhe ky është një fenomen që nuk njihet vetëm këtu. Për fat të keq djali që ka kryer këtë akt kriminal dje në Këlcyrë, është një djalë i larguar në vitin 2012, i futur në ushtri në 2009 dhe i larguar në 2012”.

Zonja Kodheli apeloi se “e gjithë shoqëria duhet të jetë në shërbim dhe në funksion edhe të këtyre djemve që janë shumë të mirë kur shërbejnë, pastaj kthehen me një problematikë në disa raste kur kthehen nga misioni”.

Por a nuk duhet të vazhdojë ky shërbim psikologjik edhe pasi ato largohen?

Ministrja pranon se ndihma psikologjike vazhdon për sa kohë ata janë brenda Forcave te Armatosura, kurse më pas jo.

“Më pas jo, ne nuk jemi Ministria e Punëve Sociale, jemi Ministria e Mbrojtjes, kështu që ka struktura të tjera që merrem me trajtimin e tyre”, – tha zonja Kodheli.

Ajo pranoi edhe se ngjarje si kjo e Vodës, “tregojnë edhe një herë që realisht ne kemi nevojë për një seleksionim më të mirë të këtyre ushtarëve, sepse detyra të cilën përmbushin dhe puna me të cilën merren nuk është e një natyre të zakonshme, por është e një natyre të veçantë”. /noa.al/