Transmetuar më 28-02-2017, 18:31

Komisioni hetimor parlamentar për çështjen e CEZ është mbledhur sërish këtë të martë për të marrë dëshminë e disa personave, mes tyre edhe djali i ish kryeministrit Sali Berisha.

Por kjo ka qenë e pamundur pasi sapo Shkëlzen Berishës i është kërkuar të betohet, ai ka ripërsëritur kërkesën e tij për përjashtimin e kryetarit të komisionit, Taulant Balla nga komisioni. Por Balla i ka mbyllur mikrofonin.

Mësohet se Shkëlzen Berisha e ka cilësuar palaço dhe shpifës Ballën, ndërsa ky i është kthyer: “Të ka mësuar babi keq ty, dil jashtë”. Pas kësaj, Shkëlzen Berisha ka dalë nga komisioni. Kështu për të tretën herë radhazi, ka dështuar dëshmia e tij.

Debatet në komision

Balla: Nuk është një komision hetimor për të bërë teatër, por për një hetim të një marrëveshje me kosto të jashtëzakonshme në dëm të shtetit shqiptar.

Shkëlzen Berisha: I dënuar kryetar, i nderuar Sekretar dhe anëtarë të Komisionit, në një nga mbledhjet e fundit kam paraqitur një kërkesë më shkrim për përjashtimin e të dënuarit kryetar nga Komisioni gjatë dhënies së dëshmisë sime. Jam njohur nga mediat që keni rrëzuar këtë kërkesë, megjithëse nuk më është vënë në dispozicion asnjë vendim me shkrim. Së pari më vini në dispozicion vendimin me shkrim që keni rrëzuar kërkesën time, brenda rregullit dhe ligjit. Së dyti, dua t’ju njoftoj që ky vendim që keni marrë është marrë në kundërshtim dhe shkelje të hapur të procedurës penale i cili thotë se kërkesa për përjashtimin e një gjyqtari, në rastin konkret të dënuarit kryetar i Komisionit mund të merret veçse nga një gjyqtar tjetër i së njëjtës gjykatë.

Balla i ndërpret fjalën: Një sekondë se drejtoj unë mbledhjen.

Berisha: Të mbaroj unë.

Balla: Ti që ke ardhur të bësh teatër këtu. E di që ke ardhur të bësh teatër, këtë mbledhje e drejtoj unë. Kjo mbledhje, shko bërtiti kujt të duash por jo këtu. Këtu ule zërin.

Berisha: Të mbaroj unë, pastaj vazhdo ti teatrin e Ramës.

Balla: Dëshmitari është në një përpjekje të vazhdueshme për të fyer institucionet e këtij Kuvendi.

Berisha: Je i dënuar, nuk je i dënuar?Je i dënuar për shpifje. Je shpifës.

Balla: Ky dëshmitar ka frikë nga drejtësia ashtu si shokët e tij nuk duan që në këtë vend të bëhet vettingu. Edhe ky dëshmitar është një person që na rezulton nga provat që ka administruar Komisioni.

Berisha: Shpifës, je shumë shpifës.

Balla: Dakord. Unë qofsha ky që jam, por ti qofsh ai që je. Ja ku është prova.

Berisha: Gjykata të ka shpallur shpifës me vendim.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd