Transmetuar më 28-02-2017, 14:31

Banorët e Himarës marshuan pranë çadrës së lirisë ku për të njëmbëdhjetën ditë zhvillohet protesta opozitare dhe qëndresa popullore për të ngritur edhe ata zërin e shqetësimit të tyre. Kryetari demokrat Lulzim Basha i cili po zhvillonte një bashkëbisedim me pensionistët, i ftoi protestuesit himariotë të dëgjohen nga agora e qytetarëve.

“Grabitja e pasurive publike dhe pronës është tipar i kësaj qeverie dhe për të ngritur zërin kundër grabitjes së pronave sot protestës i janë bashkuar qindra banorë nga jugu i Shqipërisë, nga Himara, nga zona të tjera të vendit. Unë dua ti mirëpres sot në këtë shesh të protestës dhe lirisë për të thënë fjalën e tyre, për të drejtat e tyre të patjetërsueshme, kushtetuese, siç është e drejta e pronës. Kundër kësaj qeverie të bandave që po i vjedh, po i tjetërson dhe po i falsifikon pronat”, u shpreh Basha.

Të mbledhur me një pankartë ku shkruhej: ‘Kryeministër mos na i prishni shtëpitë dhe bregun e detit’, banorët e Himarës ngritën zërin për projektet e qeverisë të cilat për ta janë jo vetëm të paqarta por edhe në shkelje të kushtetutës së Republikës.

Himariotët u zotuan në çadrën e protestës qytetare se do të mbrojnë tokat e tyre me jetë. Për këtë Himara i kujtoi kryeministrit disa vargje të himnit shqiptar.

Kreu i selisë blu Basha i quajti banorët e Himarës një dëshmi të gjallë të grabitjes shtetërore të pronave dhe pasurive të tyre nga një grusht oligarkësh nën maskën e një pushteti abuziv dhe arrogant.

“Sot nga ky shesh dua ti them gjithsecilit prej jush se Republika e re do të jetë Republika e të drejtave themelore të çdo qytetari të saj dhe se pronat tuaja do të jenë nën mbrojtjen e sigurisë së Kushtetutës dhe ligjit. Askujt s’do i shkojë ndermëni të luaj me pronat dhe fatin tuaj”, tha Basha./b.l/noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd