Transmetuar më 27-02-2017, 12:07

Tiranë, 27 shkurt 2017, NOA.al- Në ditën e dhjetë të protestës kryedemokrati Lulzim Basha tha se vendi është në rrezik nga një qeveri kriminale.

Në një bashkëbisedim nga çadra e protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, me ish- të përndjekurit politik, ai insistoi për zgjedhje të lira dhe të ndershme duke thënë se rrugë tjetër nuk ka.

Për kreun e PD, sot liria e vendit kërcënohet nga diktatura e krimit dhe se e vetmja mënyrë që vendit t’i kthehet normaliteti është largimi i Edi Ramës.

Ai këmbënguli edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të lira nëpërmjet një qeverie teknike. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha përpara se të zotohej përballë përfaqësuesve të të përndjekurve politik, tha se ky mëngjes i bukur është edhe paralajmërim i pranverës në politikën shqiptare.

“Ne kemi bërë shumë në këtë drejtim, politikisht dhe në qeverisje, por e di që shumë ka mbetur pa u bërë. Dua të zotohem këtu para jush, përfaqësuesve të të përndjekurve politik, dhe gjithë të përndjekurve politik, se Republika e  re që po ndërtojmë së bashku do të jetë Republika e lirisë vetëm kur të ketë shlyer plotësisht borxhin moral dhe material ndaj jush. Ky është zotimi im, ky është premtimi im”, tha ai.

Duke i quajtur si shtresa më fisnike e dinjitetit njerëzor, Lulzim Basha tha se në themel të çdo lirie është e drejta për të zgjedhur.

“Themeli i lirisë është mundësia për të zgjedhur vetë.  Dhe në një shoqëri të qytetëruar dhe perëndimore kjo merr formë përmes lirisë së votës. Ky është një instrument i vjetër sa qytetërimi. Ndaj dua ta nis këtë fjalë me respektin dhe nderimin më të madh për sakrificën sublime të të përndjekurve politikë shqiptarë”, deklaroi kreu i PD

Kjo sakrificë për Lulzim Bashën po minimizohet për shkak të kërcënimit që i bëhet sot lirisë.

Sipas tij, pas 26 vitesh liria për të cilën të përndjekurit luftuan, u ngritëm dhe luftuam 26 vite më parë është përsëri e kërcënuar, tashmë jo nga një diktaturë ideologjike, por nga diktatura e krimit, tha ai.

“Sot liria kërcënohet nga një qeveri dhe një kryeministër që shkel Kushtetutën dhe shkel ligjin për të mbrojtur kriminelët që ka sjellë në pushtet Sot jemi këtu si pjesë e një vendimi të madh popullor për t’i thënë Edi Ramës që e vetmja mënyrë për të rikthyer normalitetin në këtë vend është largimi yt dhe një qeveri teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha./a.y/noa.al 

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd