Transmetuar më 27-02-2017, 09:41

Tiranë, 27 shkurt 2017, NOA.al- Ambasadorja e Bashkimit Europain në vendin tonë, Romana Vlahutin, flet lidhur me shtimin e masave të sigurisë dhe zërave se është kërcënuar me jetë.

Duke folur në një intervistë për gazetën kroate “Jutarnji list”, Vlahutin mohon të jetë kërcënuar me jetë, madje thotë se në Shqipëri ndihet shumë mirë.

“Titujt e gazetave se më kërcënojnë me vdekje janë ekzagjerim. Megjithatë, duke pasur parasysh qëllimin e qartë të grupeve të caktuara të interesit që përpiqen të na trembin, është dashur të merren disa masa paraprake. Kolegu im, ambasadori amerikan i ka truprojat që nga fillimi i mandatit. Edhe ne të BE-së në këto moment megjithatë duhet të jemi pak më të kujdesshëm”, u shpreh Vlahutin.

Më tej ajo flet edhe për rezistencën që po i bëjnë Vettingut një grup i vogël njerëzish. Vlahutin thotë është pikërisht procesi i Vettingut ai që ka prekur interesat e një grupi të vogël njerëzish që po bëjnë rezistencë.

“Vettingu natyrisht është një kërcënim i madh për grupet e interesit, të cilat kanë kontrolluar pjesë të mëdha të gjyqësorit, aksionet janë të mëdha, prandaj për këtë arsye edhe rezistenca e tyre është e ashpër. Flasim për gjyqësorin, në të cilin, për shembull, kryeprokuror i shtetit është ende personi të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia hoqën vizën për të hyrë atje, si dhe rrethi më i afërt i bashkëpunëtorëve të tij. Situata me gjyqësorin ishte e padurueshme dhe Shqipëria nuk kishte tjetër zgjidhje. Te ne ekziston një thënie ‘ilaçi i duhur në plagën e duhur’, dhe kjo është pikërisht ajo që solli reformat e gjyqësorit”, shprehet ajo.

Lidhur me akuzat në drejtim të saj lidhur me një vilë luksoze të blerë në kryeqytet, ajo e cilëson si diçka të pavërtetë.

Sipas saj, disa politikanë shqiptarë janë duke bërë gjithçka që diplomatët dhe komunitetin ndërkombëtar t’i përfshijnë në konfliktet e tyre të brendshme dhe t’i përdorin si alibi për gabimet e tyre.

“Nganjëherë kam përshtypjen se kjo është njëra nga pasojat e diktaturës së tmerrshme të Enver Hoxhës, kur njerëzve ua shpëlanë trurin se si të gjithë të huajt janë armiq dhe se të gjithë kanë qëllime të fshehta. Megjithatë, ndryshe nga grupi relativisht i vogël i njerëzve, por shumë agresivë, të cilët janë të lidhur me grupet e interesave politike dhe kriminale, populli shqiptar është jashtëzakonisht mikpritës, i hapur posaçërisht për mysafirët dhe të huajt. Historia e rezidencës së BE-së ka përkuar pikërisht me ditën e fillimit të krijimit të institucioneve të vettingut, verifikimit dhe bazohet kryesisht në idenë e dikujt se bëhet fjalë për një punë të dyshimtë. I gjithë procesi i identifikimit të pronës dhe negociatave ka përfunduar muaj të tërë para se unë të isha vendosur ambasadore e BE-së”, deklaron Vlahutin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd