
Tiranë, 25 shkurt 2017, NOA.al- Prokuroria e Përgjithshme i është përgjigjur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dujke kërkuar ndërprerjen e menjëhershëm të mandatit të deputetit socialist Armando Prenga.
Në përgjigjen e Prokurorisë ditën e sotme, thuhet se deputeti Prenga nuk ka deklaruar një dënim të formës së prerë nga Gjykata e Kurbinit, si edhe precedentët penalë në Itali.
Ky reagim vjen pasi në mbledhjen e ditës së djeshme KQZ kërkoi të dhëna shtesë për Prengën, duke thënë se ato që dispononinin nuk ishin të mjaftueshme për të marrë vendim.
Prokuroria thotë se sipas vendimit të Kuvendit nr.17/2016, mosplotësimi i të dhënave “…passjell përjashtimin e menjëhershëm nga funksioni publik..”. Pra, vetëm duke u mbështetur në faktin që ka një vendim penal të padeklaruar (të gjykatës së Kurbinit), deputetit duhet t’i ndërpritet menjëherë mandati.
“Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar përgjigjen ditën e sotme për t’i dhënë mundësinë KQZ-së që të shqyrtojë brenda afatit ligjor kërkesën për ndërprerje të mandatit të deputetit Prenga. KQZ ka detyrim që të shqyrtojë vendimin e Prokurorisë brenda 10 ditëve nga vendimmarrja e Prokurorisë”, thuhet në qëndrimin e organit të akuzës.
Më tej thuhet se Prokuroria e Përgjithshme ka marrë vendim për konstatimin e ndërprerjes së mandatit të deputetit Prenga në datë 15 shkurt 2017./a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





