







Tiranë, 23 shkurt 2017, NOA.al- Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj përuroi sot këndin e dytë të forcës te liqeni artificial.
“Çdo ditë shohim një ndryshim te Liqeni, jo vetëm mjedisi është më i pastër, por tani është edhe më çlodhës. Mënyra se si vërtetohet kjo është prania e 275 mijë qytetarëve të Tiranës që e frekuentojnë rregullisht këtë hapësirë. Kjo na bën të kuptojmë se, siç fëmijët kanë nevojë për kënde lojërash, ashtu edhe të rriturit kanë nevojë për një kënd ku mund të ushtrohen fizikisht në natyrë, për pistë vrapimi apo biçikletash”, u shpreh Veliaj.
Kreu i bashkisë deklaroi se hapësira të tëra, që më parë ishin zaptuar, janë kthyer në hapësira publike për qytetarët, ndërsa shtoi se ky kënd i ri vjen edhe si një inkurajim për t’u marrë më shumë me aktivitete sportive.
“Me këtë kënd force propozojmë një alternativë ndryshe nga interneti, bingot, bastet dhe kafet; një hapësirë në natyrë, në ajër të pastër, me të gjitha kushtet, si një palestër në ajër të hapur, e cila mund të shijohet nga të gjithë qytetarët e Tiranës, frekuentues të Parkut të Liqenit”, tha ai.
Duke garantuar se investimet e Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e këndeve dhe parqeve të reja do të vijojnë edhe në pjesë të tjera të qytetit, kryebashkiaku Veliaj tha se kur bashkia lihet të punojë, investimet përfundojnë brenda një kohe të shkurtër.
“Tashmë, ka ardhur koha që vëmendjen ta kthejmë te investimet tona në parqet e Kasharit, Farkës, Dajtit dhe Pezës, për t’u siguruar që Tiranës i trashëgojmë 4-5 parqe”, shtoi ai.
Kreu i Bashkisë falenderoi anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe përfaqësuesit e njësive administrative për marrjen e vendimeve të rëndësishme në të mirë të qytetarëve.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





