Transmetuar më 21-02-2017, 10:19

Gjykata e Krimeve të Rënda jep masën e sigurisë arrest me burg për Admir Çerpjan, njëri prej të arrestuarve për grabitjet e miliona eurove në Rinas. Mësohet se Admir Çerpja ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë.

Çerpja që njihet edhe me dy emra të tjerë, është treguar bashkëpunues me policinë dhe prokurorinë, duke treguar edhe vendin e fshehjes së parave. Të cilat, ashtu si Neim Avdulaj, i kishte groposur në oborrin e shtëpisë në Bathore.

Burimet thonë se Çerpja, ka treguar edhe emrat e personave me të cilët ka bashkëpunuar, si në vjedhjen e dhjetorit të 2015 ashtu edhe atë të datës 9 shkurt të këtij viti. Dëshmia e tij para grupit hetimor, thonë burimet, ka zbardhur dhe identifikuar edhe personat e tjerë pjesëmarrës në grabitje, të cilët janë shpall në kërkim.

Ndërkohë Prokuroria ka dorëzuar në gjykatë, kërkesën për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, ku është kërkuar që të caktohet masa e “arrestit me burg” deri në përfundim të hetimeve.

Nga ana tjetër, burimet thonë se pavarësisht gjetjes së tenxhereve të fundit të mbushur me para në oborrin e familjes Çerpija, në total shuma e gjetur deri më tani nuk arrin 400 mijë dollarë amerikanë. Edhe pse, në dy grabitjet sipas të dhënave të bankës, janë marr rreth 7 mln euro.

Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje të 4 të arrestuarve që kanë mbajtur qëndrim pohues, Admir Çerpja, Fatjon Xhyli, Ditjon Memlika dhe Neim Avdulaj kanë pretenduar se një shumë të konsiderueshme parash, të fituara edhe në formë shpërblimi i kanë harxhuar në lojra fati. Ndërsa i vetmi që mbetet në pozitat mohuese të përfshirjes së tij në dy grabitjet me armë, është i dyshuari Ernest Kupa.

Pavarësisht mohimit nga ana e tij, është i dyshuari Neim Avdulaj, ai që ka përfshirë Kupën në grabitjet e parave të bankave. Pasi gjatë dëshmisë, Avdulaj ka thënë se Admir Murataj, personi i shpallur në kërkim, në çdo takim me atë për marrjen e informacionit për lëvizjen e mjeteve të transportit të parave, shoqërohej me  Ernest Kupën.

Abc news ka siguruar deklarimet e Neim Avdulajt, i cili në një moment, shpjegon edhe bisedën me Admir Murataj, tek i cili hyn garant për Fatjon Xhyliun dhe Ditjon Memlikën, që nëse kapen nga policia, do të duronin presionin dhe nuk do të tregonin. Premtim, i cili siç duket nuk është mbajt nga ish-efektivi i forcave komando Avdulaj dhe dy shokët e tij, Memlika dhe Xhyliu.

Paraditen e sotme listës së të arrestuarve të parave të bankës në Qafë Kashar i është shtuar edhe një i dyshuar tjetër nga fisi Kupa. Bëhet fjalë për Dash Kupën, 41 vjeç, pasi dyshohet se është përfshirë në grabitjet me armë të vlerave monetare në rrugën e Rinasit.