
Fisi Cali jo vetëm që nuk e ka tërhequr akuzën ndaj deputetit socialist Armando Prenga, por e ka përforcuar edhe më shumë atë.
Anëtarët e këtij fisi kanë përfunduar dëshminë sot në Gjykatën e Lartë dhe Gjok Cali ndër të tjera ka deklaruar se i qëndron akuzës ndaj deputetit Armando Prenga: “Ai na kërcënoi me armë dhe më qëlloi me qytën e pistoletës në kokë.”
Deputeti nuk ishte i pranishëm në seancë, por avokati i tij Baftjar Rusi, tha se “Prenga është i pafajshëm. Ai qëlloi në ajër për t’u vetëmbrojtur, pasi Calët e kërcënuan me thikë.
Prenga nuk ka plagosur askënd. Përsa i përket dekriminalizimi, ende nuk jemi njohur zyrtarisht me kërkesën e Prokurorisë, por Prenga nuk preket nga ky ligj.”
Deputeti Armando Prenga i përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste akuzohet për plagosje të rëndë, kanosje dhe armëmbajtje pa leje në lidhje me konfliktin me anëtarët e fisit Cali për luginën e Patokut.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





