Një ditë pas arrestimit të grabitësit të pestë Rinasit, Admir Cerpja, policia ka zbardhur edhe ngjarjen.
Burime nga policia bëjnë me dije se kapja dhe arrestimi i shumëkërkuarit, një nga organizatorët e grupit të grabitjeve të vlerave monetare në rrugën e Rinasit ka ardhur pas një operacioni disa ditor në qarkun Dibër.
Admir (Gjuljano) Çerpja, 35 vjeç, banues në Bathore Tiranë, u arrestua mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21.00, në fshatin Zalldardhë të Dibrës. Kapja e tij u realizua teksa Çerpja po afrohej për tu futur në fshatin Zalldardhë në orët e mbrëmjes për të blerë ushqim.
Në vijim të kontrolleve të shumta dhe menaxhimit të informacionit të grumbulluar në mënyrë të pandërprerë në lidhje me vendndodhjen e këtij personi, u bë e mundur ndërhyrja në kohë duke prangosur shtetasin e lartpërmendur.
Shtetasi Admir Çerpja është shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë për veprime të mëtejshme. Ndërkohë nga ana e saj Policia e Shtetit vazhdon kërkimin me grupe të shumta në zona të tjera veriore për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të tjerë të shpallur në kërkim.