Transmetuar më 18-02-2017, 09:58

I pesti i bandës së grabitësve të Rinasit Jetmir Çerpja u arrestua në orët e vona, të mbrëmjes së djeshme në një fshat të Dibrës, aty ku policia dhe RENEA-t po e kërkonin prej ditësh e kanë rrethuar në një banesë, ndërsa më pas është transportuar nën masa të rrepta sigurie.

Ndonëse si ideator dhe “kapo” i grupit konsiderohet Murataj, Çerpja, me të cilin ka lidhje familjare, ishte krahu i tij i djathtë. Madje, mësohet se Jetmir Çerpja ka pasur një rol shumë aktiv në të dyja grabitjet e ndodhura më 3 dhjetor 2015 dhe 9 shkurt 2017.

Mësohet se ai ka ndarë rolet e të gjithë pjesëtarëve të grupit, se kush do të informonte, kush do të vëzhgonte dhe kush do të realizonte sulmin me armë për të marrë paratë.

Gjatë gjithë kohës së përgatitjes së grabitjes, ai organizonte me detaje rrethanat kur do të realizohej ngjarja, orarin e përshtatshëm, si dhe ndante detyrat për personat që do mbanin nën vëzhgim patrullat më të afërta të Policisë, duke kronometruar të gjitha lëvizjet.

Çerpja, i cili mendohet se ka krijuar lidhje me grupin që në Greqi, ka marrë pjesë i armatosur në këtë grabitje. Ai është anëtari i pestë që arrestohet, ndërsa 4 të tjerët, Fatjon Xhyliu, Neim Avdylaj, Ernest Kupa dhe Ditjon Memlika u arrestuan pak ditë më parë në Tiranë.

Në bazë të dyshimeve se ata vepronin si një grup i strukturuar kriminal, çështja e tyre i ka kaluar prokurorisë së krimeve të rënda. Grabitësit kanë vepruar me role të ndara dhe si një grup i strukturuar, si në grabitjen e Qafë Kasharit, ashtu edhe në atë të shkurtit 2017, ku u rrëmbyen 3.2 milionë dollarë.

Si drejtues kryesor i grupit, dyshohet të jetë Admir Murataj, i cili vazhdon të mbetet në kërkim. Murataj është arratisur nga burgu i Trikala-s në Greqi, më 2013-ën.