Transmetuar më 16-02-2017, 14:13

Ministri i Drejtësisë, z. Petrit Vasili, gjatë një takimi të zhvilluar me drejtues të lartë të USAID në vendin tonë, ka vlerësuar mjaft pozitivisht bashkëpunimin e deritanishëm.

“Sikurse jam informuar nga stafi im, bashkëpunimi i gjatë me USAID mund të konsiderohet mjaft i suksesshëm dhe frutdhënës. Edhe personalisht, kam një histori të gjatë bashkëpunimi me USAID, që daton rreth 20 vite më parë, bashkëpunim i cili që atëherë ka qenë mjaft pozitiv”, theksoi z. Vasili, gjatë takimit.

Më tej, gjatë diskutimit drejtuesit e USAID prezantuan dhe analizuan ecurinë e njërit prej projekteve kryesore që ka asistuar sistemin e drejtësisë vitet e fundit, “Drejtësi për të gjithë”.

Duke u ndalur tek disa nga komponentët e këtij projekti, përfaqësuesit e USAID e vunë theksin tek rëndësia e efikasitetit në gjykata, marrja dhe dhënia e një drejtësie pa vonesa, transparenca në ofrimin e shërbimit publik në gjykata, etj.

Një tjetër pikë me interes gjatë diskutimit ishte edhe procesi i regjistrimit audio, por edhe roli dhe përfshirja e shoqërisë civile në proceset reformuese të drejtësisë, tek të cilat po ashtu ky projekt është i fokusuar.

Ministri Vasili vlerësoi se projekti është përqendruar në disa pika mjaft të ndjeshme të sistemit, ndërsa vuri në dukje se veçanërisht sistemi audio është jetik për sistemin gjyqësor, në drejtim të garancisë për transparencë.

Gjithashtu z. Vasili evidentoi se garancia e kapaciteteve të raportimit investigativ ka shumë rëndësi, dhe nëse ky raportim nuk është profesional, ka rrezik të krijohen problematika në drejtim të perceptimit negative të publikut. 

Ministri i Drejtësisë theksoi gjithashtu se roli i OJF-ve të përfshira në projekt nuk duhet të jetë thjesht monitorues, por mbështetës, duke bashkëpunuar ngushtë me shoqatat e profesionistëve.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd