




Kishte hapur tunele të nëndheshme në shtëpinë e tij për të fshehur plot 1 ton e 255 kg kanabis sativa, por është arrestuar nga policia. Në sajë të operacionit të koduar “Underground” është vënë në pranga Ilirjan Borakaj, 55 vjeç, nga fshati Peshkëpi i Vlorës.
Në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, policia ka zhvilluar një operacion antidrogë në fshatin Peshkëpi, Vlorë, mbi bazën e të cilit është sekuestruar një sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike me peshë prej 1255 kilogram, e dyshuar e llojit kanabis sativa.
Lënda narkotike, ishte fshehur poshtë banesës së këtij personi, nëpër tunele të nëndheshme të hapura posaçërisht për fshehjen e saj, të vendosura nëpër paketime të mbështjella me qese plasmasi dhe natriban ngjitës.
Policia dispononte informacion të besueshëm, se kjo sasi me lëndë narkotike do të trafikohej në ditët në vijim nëpërmjet ujërave detare drejt shtetit Italian.
Policia thekson se kjo sasi droge e fshehur në tunele është realizuar në bashkëpunim dhe me persona të tjerë dhe policia po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre. Një prej personave të dyshuar është dhe vëllai i tij, Jetnor Borakaj, 44 vjeç, i cili aktualisht është në kërkim për prodhim dhe shitje narkotikësh që prej vitit 2012, kur është dënuar me dy vite burg.
Si provë janë sekuestruar përveç sasisë së drogës dhe dy automjete me të cilat dyshohet se do të bëhej transportimi i saj, makineri për presimin e lëndës narkotike, fishekë, qese vakumi si dhe materiale të tjera të gjetura në vendngjarje. Vazhdojnë hetimet për arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale./b.l/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





