Transmetuar më 15-02-2017, 10:39

Pas arrestimit të 4 nga 6 autorët e dyshuar të grabitjes së ndodhur disa ditë më parë në afërsi të Qafës së Kasharit, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona të tjerë që rezultojnë të jenë edhe kapot e grupit kriminal.

Burime nga policia e Tiranës bëjnë me dije se gjatë operacionit të ndërmarrë ditën sotme janë gjetur edhe një pjesë e parave të grabitura 5 ditë më parë.

Mësohet se aksioni për kapjen e dy pjesëtarëve të tjerë të bandës të shpallur në kërkim, njëri i identifikuar si Admir Murataj dhe tjetri Admir Ç., është ende në vijim. Operacioni është zgjeruar sot edhe në Tiranë, Krujë, Fushë- Krujë dhe Tepelenë.

Gjatë natës policia ka gjetur edhe një sasi të konsiderueshme parash të vjedhura. Ndonëse ende e pakonfirmuar mendohet që të jenë gjetur rreth 2 milion euro të bankës së grabitur më 9 shkurt, ndërsa pjesa tjetër e parave dyshohet të jetë investuar në banesa e biznese, ndërsa një pjesë është humbur në bizhoz.

Në pranga përfunduan ditën e djeshme Fation Xhyliu, 33 vjec, lindur në Lushnjë e banues në Tiranë, ish-punonjës në SHPSF "Rogat", Neim Avdulaj, ish-ushtar në forcat e Zall Herrit, Ditjon Memlika, ish-efektiv në forcat ushtarake, Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat.

Dy grabitjet ndodhën më 3 dhjetor 2015, ku u sulmuan me armë eskorta e vlerave monetare ‘Rogat Security’, në aksin Tiranë- Rinas, në afërsi të Qafës së Kasharit dhe më 9 shkurt 2017, ku u sulmua me armë eskorta e vlerave monetare “Jaguar”, në aksin Tiranë-Rinas, afër universitetit ‘Epoka’”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd