
Pesë ditë pas vrasjes së vajzës së tyre, Fiqeret dhe Floresha Arapi, prindërit e Ermira Dushit (Arapi), nga fshati Ngurrëz i Lushnjës, thyejnë heshtjen dhe flasin për tragjedinë e ndodhur në familjen e tyre.
Në një intervistë për “Panorama” ata thonë se nuk arrijnë ta besojnë dot se vajza e tyre ka pasur lidhje me personin tjetër që u gjet i vrarë në të njëjtën makinë me të, Drini Drevenin.
Sipas tyre, e bija e donte bashkëshortin e saj dhe mohojnë që ajo të ketë pasur një lidhje tjetër. Babai i Ermirës shprehet se po hidhet baltë mbi vajzën e tij pas kësaj ngjarjeje që i ka tronditur ata familjarisht. Sipas tij, ceremonia e varrimit të Ermirës në fshatin Ngurrëz është bërë me mirëkuptimin e të dy familjeve.
“Është e vërtetë që dhëndri nuk erdhi në varrim, pasi ai është lënduar nga këto që ka dëgjuar. Por prindërit e tij kanë ardhur dhe ne kemi pasur komunikim me ta pas ngjarjes”, shprehet Fiqeret Arapi.
Ai thotë se nuk do ta prishë miqësinë me familjen Dushi. Për shkak se kanë edhe një mbesë, vetë dhëndri i ka vënë në dijeni pas ngjarjes se do ta takojnë dhe ta marrin sa herë të duan. Sipas tij, vajzës iu bënë të gjitha nderet që meritonte një fëmijë që ikën aq e re në moshë.
Ashtu si dhe i shoqi, edhe nëna e Ermirës nuk mund ta besojë se e bija ka pasur një lidhje jashtëmartesore pasi siç shprehet, e bija e donte të shoqin dhe nuk kishin asnjë problem apo mosmarrëveshje midis tyre.
"Kur e mësuam ngjarjen, im shoq mbeti gati i ngrirë dhe unë po ashtu, dhe po rrinim pa fjalë. Nuk e mbaj mend sesi jemi bërë gati dhe jemi nisur dhe nuk e di si e kam përballuar idenë që e pashë të shtrirë, pa jetë. Edhe tani s’e besoj dot se kam varrosur këtu, në fshatin e saj të lindjes”, rrëfen nëna e saj.
Më tej Floresha Arapi shton se: “Vajza ime nuk e meritonte të ikte kaq e re. Nuk e meritonte të vdiste kaq e re. Kërkojmë të na zbardhet ngjarja. Se çfarë e lidhte vajzën time dhe personin që ishte me të në makinë, ata e morën me vete në varr”.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





